
Kur ShkodraWeb nisi udhëtimin e saj në botën e rrjeteve, urimi më i shpeshtë, më ambicioz por edhe sfidues, ishte: Rrugëtim sa më të gjatë! Kishte një arsye në fakt. Shumë media online apo portale, me emrin e mrekullueshëm të Shkodrës, kishin nisur dhe ndalur (jo për fajin e tyre në fakt) rrugëtimin.
E sot, 8 vite pas këtij starti, ShkodraWeb vazhdon të jetë. Fatmirësisht, shumë “motra” i janë shtuar, një pjesë me emrin e Shkodrës, shenjë se ky emër ndjell, josh, i bën nder çdo media tradicionale ose online. Me zemër urojmë që edhe ato, të vazhdojnë sa më gjatë rrugëtimin e tyre sepse që të gjitha, janë vlerë, i japin zë Shkodrës dhe më gjërë.
Sot nuk është ditë bilancesh, as të flasim për milionat e shikimieve e klikimeve përgjatë këtyre viteve. Duam të bëjmë një varg falenderimesh, mëse të merituara. Të parët, ndjekësit tanë në të gjitha rrjetat sociale ku ShkodraWeb është e pranishme. Ekzistojmë falë mbështetjes tuaj të pakursyer, ndjekjes së publikimeve tona. FALEMINDERIT është shumë pak për ju!
Falenderimi i dytë, po aq i madh, është për të gjithë kolegët, të cilët direkt apo indirekt kanë kontribuar që ShkodraWeb të jetë kjo që është sot. Nuk e dimë nëse do të kemi mundësi e hapësirë t’ ua shpërblejmë kontributin tuajt të vyer por edhe jetik për ecurinë tonë këto 8 vite. Jeni krenari dhe aseti më i çmuar për Shkodrën dhe një grimcë të vogël me emrin e saj, ShkodraWeb.
Falenderimi i tretë është për të gjithë ata që na besuan idetë, mendimet, opinionet, analizat, komentet për ti publikuar në ShkodraWeb. Kontributi juaj për rritjen tonë të vazhdueshme, është i qenësishëm dhe shpresojmë e urojmë që bashkëpunimet jo vetëm të vijojnë por edhe të shtohen, edhe me miq e bashkëpunëtorë të tjerë.
Nuk duam të zgjatemi, as edhe të premtojmë. Ekzistenca në rrjet është përherë e më e vështirë për ata që përpiqen të ndjekin qëllime profesionale, pa u vënë në shërbim të askujt por thjesht duke pasqyruar çfarë ndodh. Nuk mund të premtojmë se “do të jemi këtu pas 10, 20 apo 30 viteve”. Premtojmë thjesht dhe vetëm që do të japim maksimumin tonë, duke u përpjekur të përmirësohemi, të mësojmë nga gabimet tona.
Miliona herë FALEMINDERIT, të gjithëve, me zemër! /Redaksia e ShkodraWeb/




