PERVJETOR – Pesë vjet pa “Daja Xhatin” e medias shkodrane e shqiptare…

Ajo që do të lëmë pas kur të ikim nga kjo botë drejt tjetrës, nuk është pasuria por kujtimi dhe emri i mirë. Kjo shprehje më erdhi në mend teksa erdhi data 6 shkurt e 5 viteve më parë. “Daja” i gazetarëve shkodranë, Nexhat Rakaj apo Xhati, do të ndahej nga jeta papritur dhe shumë para kohe, në kapërcyell të 60 viteve të jetës.

Ishte e hënë dhe lajmi për humbjen e Xhatit, i erdhi si rrufe në qiell të hapur të gjithë komunitetit të gazetarëve, operatorëve, atyre që kishin punuar e njohur por edhe atyre që e njihnin përmes rrëfimeve të kolegëve.


Luftonte me sëmundjen e pashërueshme që e mori në shumë pak kohë por të gjithë shpresonin se me forcën, vullnetin dhe karakterin e tij edhe mund ta mposhtte. Fatkeqëesisht Xhati e humbi betejën duke lënë pas shumë trishtim e kujtime që e sollën shpesh herë mes nesh në këto 5 vite mungesë.

Për 17 vite “Daja” kontribuoi për mediat, për gazetarinë e gazetarët që të dilte në pah puna e tyre. I palodhur, i përkushtuar, gjithmonë në lëvizje si ai. Me motorin e tij, ai sfidonte jo vetëm motin edhe kohën për të sjellë tek qytetarët informacionin e parë dhe të saktë.

Puna e kontributi i tij ishte i pranishëm në mediat kombëtare dhe lokale, karakterizohej nga vullneti i rrallë, këmbëngulja, serioziteti pa u lodhur asnjëherë. Me 6 shkurt 2017, për komunitetin e punonjësve të medias në Shkodër dhe përtej, ishte një humbje që le pas dhimbje.

Kanë kaluar 5 vite dhe sot e kujtojmë shpesh. Natyrisht, do ta kujtojmë edhe në vitet në vazhdim. Kujtimi i tij shoqërohet me respektin dhe detyrimin për të mos e harruar. Sepse Xhati la pas emrin e mirë, më i rëndësishmi që një person mund të lërë trashëgimi!

Na mungon të gjithëve Xhati! Pusho i qetë në parajsë se do të kujtohesh gjithmonë për mirë! /Nga Blerti DELIJA/