
Dy vjet më parë, nga Italia do të vinte një lajm i trishtueshëm. Paulin Preka, një nga ikonat e humorit shkodran e shqiptar, do të largohej nga kjo jetë. Një vlerë e papërsëritshme e artit shqiptar, një personalitet i padiskutueshëm i tij, do të linte bosh një vend që vështirë të plotësohet…
Paulin Preka nuk është thjeshtë pjesë e një plejade të artë të humorit shqiptar. Ai nuk është vetëm një aktor që bëri historinë e një periudhe të papërsëritshme, ku pavarësisht vështirësive të kohës, prodhoi vlera të cilave këto 30 vite, akoma nuk i jemi afruar.
LEXONI EDHE: VIDEO – Lamtumirë Paulin Preka! Mjeshtri i Madh i humorit shqiptar do të prehet përjetësisht në Shkodrën e tij…
Paulin Preka është e mbetet simboli i humorit shkodran e shqiptar, fatmirësisht me mundësinë e rikonfirmimit të vazhdueshëm edhe pas vitit 1990, një vijimësi jo e lehtë përballë vlerave të diskutueshme që u vunë nën dritat e prozhektorëve. Në skenën e teatrit “Migjeni”, ashtu si në të gjitha skenat që u ngjit apo ambjentet ku interpretoi, ai solli gaz e hare që vazhdojnë të jenë mes nesh edhe pas ikjes fizike një vit më parë.
Është pikërisht kjo forca e artit, aktorit, i cili vazhdon të jetojë me artin e tij edhe pas largimit në një jetë tjetër. Ata vazhdojnë të jenë të pavdekshëm edhe si simbole qytetarie, të familjarit të mirë e të përkushtuar, mikut, shokut e kolegut.
LEXONI EDHE: “E quej fat që kam pirë të njëjtin ujë me ty, i madhi Paulin Preka”, Justina Aliaj rrëfen aktorin e madh shkodran
Dy vjet pas ikjes, dhimbja e familjes dhe artëdashësve që e shijuan artin e Paulin Prekës, nuk është fashitur. Ndoshta nuk do të fashitet asnjëherë, sidomos për të afërmit. Ngushëllimi më i madh është pasuria e pamatshme artistike që fatmirësisht, e la pas e ne që e njohëm por edhe ata që do ta njohin përmes videove, do të vazhdojnë ta kenë mes tyre të madhin Paulin Preka! /Nga Blerti DELIJA/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!