PERVJETOR – Nuk e dija që Gilmani kishte kaq shumë “miq” në ikjen e tij…

Gilman Bakallin kam nisur ta njoh pas vitit 2005, kur bashkë me Arenca Trashanin u kandiduan dhe fituan në zgjedhjet politike të atij viti që sollen në pushtet PD-në bashkë me KOP-in, përmes të cilit u futen në politikëbërje edhe shumë emra të rinj, të paangazhuar deri atëherë.


Gilmani nis të shfaqë publikisht temperamentin e tij të spikatur si antikonformist pas një fjalimi të bujshëm në Kuvend, kur pas shpine kishte kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli. Ishin të dy pjesë e të njëjtit subjekt qeverisës, e të njejtës mazhorancë. Kam përshtypjen se pak kush deri në askush, madje edhe vete Gilmani mund të besonte se në këtë betejë publike- politike, do të humbiste Topalli- e plotfuqishme edhe si nr. 2 i PDSH- së. E në fakt, ashtu ndodhi. Viti 2009 shënoi daljen nga politikëbërja zyrtare të Gilmanit, me humbjen e garës në Shkodër, ku në qendrën e tij të votimit nuk i rezultuan në kuti as votat e njerëzve të tij më të afërt.

Gilmani zgjodhi rrugën e mësimdhënies, të procesit që sipas meje dhe shumë atyre që e kanë njohur, e bënte me shumë pasion. Pasion që e dallonte nga të tjerët në politikë e kudo. E tregoi me jetën e tij se ishte idealist, ëndërrimtar dhe antikonformist me shokë të rrallë. Këto cilësi lehtësisht të dallueshme, i shfaqi përmes prezantimeve të panumerta mediatike, në gazetë, në internet, në media audio-vizive.

Po merresha me punën e përditshme timen, ndërsa një telefonatë me njofton se Gilmani kishte ikur nga kjo botë. Nuk e besova, realisht nuk e besova. Çfare sëmundje e papritur dhe kaq shpejt mund ta kishte rrëmbyer Gilmanin? Një Gilman i pamposhtur fizikisht, përherë sportiv me biçikletën e tij, me udhëtime që njeriu e ka të vështirë ti mendojë ti bëjë me makine dhe jo me forcën e këmbëve.

“Leuçemi akute”, më thanë. Në fakt nuk arrita ta kuptoj menjëherë. Mirë leuçemi, por akute? Do të thote se të vret menjëherë, brenda pak ditëve, orëve apo minutave? Para shumë kohëve, kisha dëgjuar për një rast të ngjashëm shprehjen “ju helmua gjaku” apo “ju prish gjaku”. Kjo mesa duket, kishte prekur dhe marrë me vete brenda pak kohësh Gilmanin.

Mbështet ShkodraWeb Media

Instiktivisht, nga celulari, u futa në rrjetet sociale. Po, ishte e vërtetë! Gilmani kishte ikur, atëherë kur nuk e mendonte dhe priste askush. Kishte ikur pa u ndjerë. Nisa të lundroj. Qindra, ndoshta edhe mijëra statuse, komente, opinione, shkrime për Gilmanin. Mes tyre, edhe shumë nga ata që dhanë kontribut që Gilmanit ti “prishej gjaku”, ti “helmohej gjaku”.

Nuk e di pse më erdhi në mend një e qeshur ironike e Gilmanit, që e kisha të stampuar në mendje. Një e qeshur që zakonisht ai e përdorte për të të dhënë të drejtë, kur edhe ti vetë e dije se je gabim, se nuk ke të drejtë. Papritur, Gilmani kishte mijëra “miq”, paradoksalisht në nisje të udhëtimit pa kthim drejt një realiteti tjetër. Dhjetëra emra, ishin të atyre që edhe publikisht ndikuan që Gilmanit ti “helmohej gjaku”. Të jenë penduar, thashë me vete. Mbase, por asnjëherë nuk e shprehen pendesën, as publikisht, as tek miqtë e Gilmanit dhe as tek vetë Gilmani. Edhe pse nga 2009 kishin mjaft kohë.

E kush jam unë që po shkruaj këto rradhë, që po evidentoj këto fakte, kur të gjithë po i japin lamtumirën e fundit Gilmanin? Për shkak të profesionit, kam qendruar, biseduar e debatuar gjatë me Gilmanin. E kam njohur Gilmanin edhe përmes miqve dhe të njohurve të përbashkët. Natyrisht, nuk kam patur fatin të jem në mes miqve të afërt të Gilmanit. Edhe pse në fakt, miqtë e afërt të Gilmanit kanë qenë të paktë. Flas për ata miq që kishin ardhur apo kishin ndërtuar këtu në Tokë një planet që i përmblidhte të gjithë, bashkë me Gilmanin.

E tash, nuk di çfarë ti “uroj” në nisje të këtij udhëtimi drejt një realiteti tjetër Gilmanit: “Qofsh i xhenetit” apo “Krishti të pastë në parajsë”! Sepse ishte antikonformist me gjithçka, me çdo gjë! Shiprt i lirë, që lirinë e vërtetë, nëse ka një botë shpirtërore, tani e fiton të plotë.

La shumë dhimbje në këtë ikje të papritur. Tek bashkeshortja, vajzat, të afermit, miqtë, shokët, të njohurit por besoj edhe tek shumë që nuk e kanë njohur nga afër, por përmes asaj çfarë arriti të tregojë. Iku i lirë, thuajse pa u ndjerë. Edhe këtë ceremoni homazhesh zyrtare në Bashkinë e Shkodrës, kam frikë se nuk do ta preferonte.

Më kthehet përsëri në mendje ajo buzeqeshja ironike e Gilmanit, të cilën me duket se e shoh edhe në këto momente. Patjetër edhe nga aty ku është- në kufirin mes dy botëve, po buzeqesh me ironi. Me ironi, për “miqtë” e shumtë qe paska patur dhe nuk i paska ditur. I njohu sot, në kapercyell të dy jetëve. Por besoj se Gilmani i ka falur. Jo sot, por shumë më herët. Që atëherë kur nisën t’ja “prishin gjakun”, t’ja “helmojnë gjakun”.

Gilman! Ti nise udhëtimin drejt të vertetës! Ne edhe për disa kohë, Zoti e di sa, do të vazhdojmë të jetojmë në këtë botë të rreme! Botë që ti u përpoqe ta ndryshosh pozitivisht! Dhe ja arrite! /Nga Blerti DELIJA/

Shënim: Ky material është shkruar “me një frymë” me 9 tetor 2016, katër vite më parë. Unë e riktheva, falë Facebook, ashtu siç është shkruajtur në atë kohë. Mendoj se nuk mund të shkruaj me mirë dhe më saktë për Gilman Bakallin, në këtë përvjetor të ikjes së tij nga jeta tokësore. 

ShkodraWeb Media 2017 – 2020 © TË GJITHA MATERIALET NË KËTË FAQE MUND TË PËRDOREN LIRISHT NGA INDIVIDË E MEDIA, DUKE CITUAR NGA JANË MARRË. FALEMINDERIT!

ShkodraWeb Channel
ShkodraWeb Marketing