PËRVJETOR – Mjeshtri Kujtim Alija, një shkodran që do të personifikojë Shkodrën gjithmonë…

Ishte e vështirë të ndodhte, por të gjithë ata që të kanë njohur shpresonin në një mrekulli. Një mrekulli jo thjesht për një individ por për Kujtim Alinë. Si sot një vit më parë, lajmi për ikjen tënde më trishtoi shumë. Ishim takuar shpesh kohët e fundit, të kohës së mallkuar kur ti përballeshe me një përbindësh. “Ne po bëjmë tonën…”, përsërisje shpesh dhe pas tokjes së duarve largoheshe duke lënë pas një boshllëk por edhe hije optimizmi.

Kemi punuar por edhe shijuar kafe të panumërta bashkë. Shumë herë edhe me miq e bashkëpunëtorë të përbashkët si Vali. Pasioni yt për artin, dallohej edhe pa u ulur në tavolinë me ty. E reflektoje gjithmonë dhe sidomos me refuzimin galant në shumë raste për të pirë një kafe: “Falemnders, nji herë tjetër, tashm kam lanë prova me…”, dhe vendosje dorën në zemër.


Kemi folur e ndenjur bashkë për qindra orë. Nuk do të harroj kurrë këmbënguljen për të mbajtur  në “kategorinë e parë” artin dhe kulturën në Shkodër. Nuk do të rresht së përmenduri përpjekjet për të rritur vit pas viti Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, i cili tashmë personifikohet e do të personifikohet me emrin tënd. Flisje për rrezikun që edhe këtë traditë, të na e “rrëmbente” Tirana, për përpjekjet për të arsyetuar qendrimin e eventit në tokën që e lindi dhe e rriti.

E ndërsa për këtë festival u përpoqe shumë ta mbaje në Shkodrën tënde dhe ia dole, ti krijove dhe i lë Shkodrës një tjetër festival, të ngritur nga yero dhe të rritur në nivele profesionale mjaft të larta. “Bilbilat e vegjël në Shkodër këndojnë” është tashmë tribuna e evidentimit të talenteve të panumërta, të dalë nga duart e tua. Viti 1995 shënoi startin, një bashkëpunim i pandërprerë me Valin dhe TV Rozafën, nga viti në vit duke krijuar vlera e talente të reja.

Tani më vjen në mendje një nga daljet e tua të fundit, në një nga ditët e Festivalit. Ishe direkt në Facebook, i transformuar disi nga beteja me sëmundjen edhe disi i lodhur nga përbindëshi. Por pasioni, idetë e qarta, vizioni për artin e muzikën, ishin ato të Kujtim Alisë, të drejtpërdrejta, shqetësime të një profesionisti që mendonte të jepte kontribut gjatë, shumë gjatë.

Mund të shkruaj shumë, siç po shkuajnë në rrjetet sociale e media mijëra të tjerë. Ata që patën fatin të të njohin, të të takojnë personalisht por edhe ata që të vlerësuan përmes punës tënde. Kur doje të vije “vulën” për dikë, shprehja jote legjendare që e kujtonim e do ta kujtojmë shpesh me autorësinë tënde ishte sa e thjeshtë edhe komplekse “Nuk e ka shkru Zoti për atë punë…”. E jo vetëm për artin, përcaktimi yt ishte i pagabueshëm.

Profesor! Ti je “i dënuar” të vazhdosh në mesin tonë, edhe pse si sot një vit më parë nise një rrugëtim tjetër drejt dirigjimit të orkestrës së ëngjëjve. Ti do të vazhdosh të jesh mes nesh jo vetëm përmes mijëra orëve koncerte e festivale që ideove e drejtove. Ti do të vazhdosh të jetosh përmes qindra talenteve, që në katër anët e vendit, kanë përformuar, përformojnë e do të përformojnë falë punës dhe përkushtimit tënd.

Pushofsh në paqe Profe!