Kaluan dy vite nga mungesa fizike e Dushit, Anilës tonë, koleges së veçantë. Iku papritur, në kulmin e aftësive e mundësive të saj për të vijuar në rritje kontributin për Shkodrën, publicistikën e gazetarinë, të cilës i përkushtoi jetën.
Dy vite nuk kanë mundur ta largojnë Anilën nga përditshmëria jonë. Ka qenë, është e do të vijojë të jetë e pranishme në mesin tonë. Gjurmët që ka lënë ajo në komunitetin e gazetarëve, janë të forta e të përhershme.
Jeta nuk u tregua aspak bujare me të dhe mbase kolegët kanë qenë pjesa ku ajo përmbushej, me aq sa mund ti ofronte secili nga ne në një përditshmëri që në jo pak raste, të vë përpara.
Anila ishte jo vetëm shoqe e kolege, por edhe mësuese. Jo vetëm për të rinjtë që erdhën në këtë hapësirë siç është gazetaria por edhe me ata që e nisën para apo njëherësh me të këtë rrugëtim.
Profesionalizmi, përkushtimi, saktësia dhe mbi të gjitha dashamirësia për të të dhënë një dorë, janë vlera që jo çdokush i zotëron por edhe që përherë po rrallohen në shoqërinë tonë, për të dalë përtej komunitetit të mediave.
Në këtë 2- vjetor të largimit, Anila vijon të jetë e pranishme. Kujtimet janë të shumta dhe në mendje të vijnë ato më të bukurat, më gazmoret me Dushin. Kështu do ta kujtojmë edhe për shumë e shumë vite deri në momentin e ritakimit…