
Më 12 shkurt 1929, lindi fotografi i mirënjohur Angjelin Nënshati (1929–2005). I lindur në Shkodër më 12 shkurt 1929, ai kreu shkollimin fillor e të mesëm në qytetin e lindjes, fillimisht në Kolegjin Saverian, e më pas në gjimnazin “28 Nëntori”.
Nga viti 1948 deri më 1957 punoi si mësues në Pukë dhe Shkodër, por pasioni i tij i hershëm ishte gjithmonë fotografia, të cilën e nisi që në moshën 14-vjeçare pranë mjeshtrit Rraboshta.
Në vitin 1948, në Pukë, krijoi laboratorin e parë fotografik. Pas shtetëzimit të repartit të fotografisë (1958), ai vazhdoi të punonte si fotograf profesionist deri në vitin 1990, duke u shquar si një nga figurat më të rëndësishme të këtij arti në Shqipëri.
Edhe pas këtij viti, deri sa ndërroi jetë, Angjelini fiksoi me aparatin e tij ngjarjet më të rëndësishme, eventet dhe personazhet e Shkodrës e më gjërë, duke lënë pas një pasuri të paçmueshme. Fatmirësisht, çdo gjë është e ruajtur me kujdes dhe pasionin e Angjelinit, e vazhdojnë edhe djemtë e tij, duke garantuar një tjetër dinasti në artin e fotografisë, ku Shkodra ruan e përtërin traditën që nga koha e Pietro Marubbi.




