PËRVJETOR – 8 vite nga ikja e beftë e Sokol Olldashit, misteret e një nate që vazhdon të ngjallë mister…

20 nëntori 2013 shënoi të fundit ditë të Sokol Olldashit në këtë jetë. Ora 21.20 në Krrabë të Tiranës, shënoi frymën e fundit të ish- ministrit, ish- kandidatit për kryetar të PD- së përballë Lulzim Bashës dhe deputetit Sokol Olldashi. Dhimbje, trishtim por edhe mister për ata që e njohën nga afër por edhe nga larg si personazh publik.

Nga ajo ditë, publikisht por edhe në rrethe të ngushta, diskutohet për aksidentin e çuditshëm që i mori jetën Olldashit. Vdekja e tij është e mbulur me shumë pikëpyetje, të cilave as ekspertët më të mirë, as vitet që po kalojnë, nuk arrijnë ti japin përgjigje. A ishte në rrethanat e një aksidenti që do të përfundonte fatalisht? Kush ishte në makinë me Olldashin? A iu dha ndihma menjëherë dhe a erdhi vdekja e tij pikërisht nga aksidenti?

Me gjasë, këto pyetje nuk do të marrin përgjigje edhe për shumë kohë, ndoshta kurrë. Shumëkush është përpjekur të deshifrojë largime nga politika e qeveria, divorce të çifteve VIP, si me lidhje me ngjarjen tragjike. Por deri tani, asgjë nuk ka dalë dhe nuk është provuar “në dritë të diellit”. Ka shumë hamendësime, dyshime e aludime, mbase pikërisht për të lënë në errësirë këtë ngjarje. Mbase, sepse kështu është më mirë. Jo vetëm për Olldashin por edhe të tjerë.

Sot, kur kanë kaluar 8 vite nga ikja në një botë tjetër, janë të shumtë miqtë e tij që e kujtojnë. Sjellin në vemendje detaje të shumta nga një jetë e jetuar mjaft intensivisht. Sokol Olldashi është dhe mbetet nga ata politikanë që vështirë të rimishërohen edhe tek pasardhësit direkt biologjikë. Nga Kelmendi në Konispol, nga Karaburuni në Qafë Thanë, miqtë e shokët e Olldashit janë të shumtë. E sot, mbase pjesa dërrmuese e tyre pyesin: Pse ike Sokol? Ike vetë apo “rrethanat” i krijuan që ti të ikje shumë para kohe?


Për shumë kënd, jeta është e padrejtë, madje edhe mizore. Këtu mund të gjejnë prehje të gjitha dyshimet, hamendësimet, aludimet për fundin e beftë të Sokol Olldashit. Përtej të gjithave, ajo që mbetet sot pas 8 viteve por edhe më përtej, është kujtimi që lë pas. E kur janë qindra, mijëra ato që kujtohen edhe kur nuk je, tregojnë se jeta që ke jetuar ka lënë gjurmë, gjurmë të thella. Pushofsh në paqe Sokol Olldashi! Mbase shumë pyetje për fundin tënd do të marrin përgjigje vetëm në botën tjetër! /Nga Blerti DELIJA/

Open

Close