PËRVJETOR – 7 vjet pa këngëtarin me zërin magjik Tonin Tershana, triumfoi në Festivalin e RTSH-së kur ishte vetëm 16 vjeç

Si sot 7 vjet më parë, do të përcillej në banesën e fundit, shumë para kohe, në moshën 66 – vjeçare këngëtari i njohur i muzikës së lehtë, Tonin Tërshana. Artisti i 4 çmimeve të para në Festivalet e Këngës në Radio Televizion, i nderuar me çmimin “Mjeshtër i madh i punës”, u shua pas një sëmundje të rëndë, në Qendrën Spitalore Universitare.

Karrierën si këngëtar e nisi herët, ku në moshën 16 – vjeçare fitoi çmimin e parë në Festivalin e 4 të RTSH -së. Tonin Tërshana ka qenë pjesë e estradës së Ushtrisë dhe pjesëmarrës i shumë festivaleve. Këngët e tij “Vajzë moj Lule moj”, “Erdhi Pranvera”, “Të dua o det”, “Qeshu vogëlushi im”, bënë jehonë në muzikën shqiptare, duke u kthyer në hite që i rezistojnë edhe sot kohës.


Ka fituar çmimin e parë dhe në Festivalin e 11-të të RTVSH-së me këngën “Kur vjen pranvera”. Ka marrë pjesë në mbi 20 festivale duke fituar 4 çmime të para dhe duke u bërë një ndër këngëtarët me më shumë trofe në Festivale.

Tonin Tërshana lindi në Shkodër, më 1 qershor 1949. Artisti i madh i skenës shqiptare, duke fituar çmime të para dhe duke u renditur si një ndër këngëtarët me më shumë trofe në Festivale, pas Vaçe Zelës.

Ai u nda nga kjo jetë duke lënë një thesar të çmuar për publikun shqiptar, këngët që dhe sot e kësaj dite, këndohen nga artistët e rinj.