Skip to content
20 April, 2026
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

Since 2017, the most followed news portal and entertainment in the North of Albania

njoftime banner 2025
Primary Menu
  • KUSH JEMI NE
  • AKTUALITET
  • KRONIKË
  • POLITIKA
  • SPORT
  • MAG&VIP
  • DOSSIER
  • ANËMBANË
  • VIDEO NEWS
  • RRETHE
    • Malësia e Madhe
    • Lezha
    • Vau- Dejës
    • Puka
    • Vendi
  • NA SHKRUANI
ShkodraWeb TV

PËRVJETOR – 32 vjet më parë do të shuhej meteori i humorit shqiptar Tano Banushi…

ShkodraWeb 6 August, 2025
tano-banushi

32 vjet më parë do të ndahej nga jeta Tano Banushi. Nuk ka nevojë për asnjë prezantim tjetër. As për ata që e kanë njohur e shijuar në skenë e ekran si bashkëkohës, por as ata që sot kanë mundësinë ta shijojnë artin e tij përmes video, fatmirësisht të ruajtura një pjesë e tyre.

Për brezat më të rinj, ata që sot janë të dhënë pas teknologjisë dhe humorit të çastit, mund të themi vetëm kaq: Kërkoni në Google ose Youtube, gjeni videot e tij në skena dhe vendoseni “notën” vetë. Duhet të kalojnë mbase edhe shumë e shumë dekada që një si Tano Banushi ti vijë humorit shqiptar!

Më poshtë, vetëm një video e mjeshtrit të madh të humorit shqiptar! Shijojeni! /ShkodraWeb Media/

SHKRIM NGA XHAHID BUSHATI
Artistit të Popullit Tano Banushi (4 Shkurt 1927 – 7 gusht 1993)

Herë pas here, edhe pse i distancuar në kohë, i jam kthyer figurës poliedrike të Tano Banushit, të cilin kam pasur fatin ta njoh. Një aktor brilant, i papërsëritshëm i humorit shqiptar.

Gjithmonë me mendimin se kam lënë diçka mangut pa thënë, e pse jo, më duket sikur vitet dhe koha ende dinë diçka (në të vërtetë dinë) dhe ma fshehin… Sepse, në të vërtetë, universi aktoresk i Tano Banushit, ka bërë që në skenën e estradës, (më vjen në ndihmë fraza e një studiuesi, të cilën dua ta perifrazoj) “… aty (të) lind miti, aty (të) lë (rë) gjurmë pasioni, aty (të) shndrisin ndjenjat.”

Skena, prapa kuintave, studio e aktorit, tavolina familjare dhe ajo mes miqve janë një hapësirë e gjerë, e parrokshme dhe që ka nevojë të gjurmohet e të studiohet. Sepse, Artisti i Popullit, Tano Banushi mbeti një emër popullor, një figurë e spikatur në zhanrin e humorit e të satirës shqiptare. E kur mendon për një çast vitet e jetës së tij artistike: mbi 1000 dalje në skenën e estradës e të teatrit, mbi 1000 fytyra skenike: shërbëtorë, nëpunës, policë, xhandarë, ushtarë, koopërativistë, brigadierë, shefa, kryetarë, sportistë, arbitra, turistë, tifozë, bojaxhinj, thashethemaxhinj, kafshë e shpendë pylli… bile edhe femra…, të realizuara nga humori i pashterur e fin shkodran i Tanos (kujtoni disa prej tyre, si: Leo, Dulla, fotografi, gjuetari, Pashuku,…), të cilat lanë gjurmë, sepse morën jetë nga jeta e artistit Tano Banushi.

Po le të kthehemi shumë e shumë vite më parë, ku Tanoja nisi fillimet e rrugës së artit. Në dramën “Armiku i popullit” të Ibsenit (1945), në mes shumë roleve, tërhoqi vëmendjen edhe figura e një të dehuri, e cila “… bashkë me personazhin ibsenian, prezantoi aktorin komik Tano Banushi” – do të thoshte në një shkrim-portret kushtuar artistit Banushi, studiuesi dhe kritiku i mirënjohur Miho Gjini.

Më pas, Tanoja, do të interpretonte rolin e një shërbëtori komik në komedinë “Pashuku” të F. Ndocajt (1946). Ndërsa si prezantues i një serie shfaqjesh të grupit artistik të klubit të punëtorëve “Vasil Shanto”, kësaj here Tanoja do të shfaqej elegant, i shkathët, me një humor befasues plot ngjyra shkodrane, improvizues dhe ekspresiv. E do të vazhdonte me pasurimin e galerisë së roleve: te marinari në “Një tragjedi optimiste” të Ishnjevskit, te kapteri në komedinë “Prefekti” të B. Levonjës, te Llomovi në “Fejesa” e Çehovit, te Mazllumi në komedinë “Hej, more babë!” të J. Vojushit.

Tanoja ishte një figurë komplekse, me prirje të ndërtimit të personazhit përmes ngjyrave realiste. Brenda një shfaqjeje e shihje në role të ndryshme. Te secili rol gjente veshjen e veçantë artistike. I dhuronte kostumin banushian. Aq i vëmendshëm ishte, sa i jepte rëndësi edhe një karafili në vesh, një stilolapsi, një… E kërkonte tipin, e kërkonte karakterin. Dhe për këtë shkrimtari humorist, Paulin Selimi, kujton: “Kam mbetur i befasuar në interpretimin e pjesëve të mia që kam shkruar për estradën. Te “Shani me bidon” luante rolin e një fshatari dallkauk e dembel. Një figurë interesante e me plot detaje shprehëse. Ndërsa te komedia me një akt “Kunati i shokut Xhemal” (pjesa e dytë), edhe pse protogonist ishte Zef Deda, Tanoja ndërtoi një rol tragjiko-komik, me dramën që shpalosej situatë pas situate të babait që donte të martonte vajzën me një të panjohur”.

Leoja (komedia “Këshilli i ndrikullave” i Sh. Mitës) është kryevepra e Tanos. Ai arriti jo vetëm ta zbërthejë Leon, këtë personazh grotesk, por futi nga xhepi i vet si i thonë një fjale, batuta e fjalë komike për ta mishëruar e karakterizuar Leon, sa e bëri simbol e personifikim të një Don Zhuani të pafat e qesharak, të një dashurie të kërkuar që e bëri tragjiko-komik. Ai jo vetëm figurën e Leos e pasuroi me batuta, por njëkohësisht nga ana e jashtme (shikojeni dhe kujtojeni) kreun e flokëve (kaçurrelin dhe funksionin e tij), qëndrimet, ecjet, dialogjet dhe raportet me tri ndrikullat, me Rinën dhe Rinushin…, e, që të gjitha këto e bëjnë një figurë demode, dalë boje e dalë kohe.

Jo vetëm me detajin regjisorial, por zgjidhte edhe detajin në veshje, nga roli në rol ndërronte si zërin, ashtu edhe intonacionin. Prandaj kurrë nuk e përsëriste veten. Mbeti kërkues ndaj figurës, eksplorator i figurave, i roleve, i batutave; mbeti gjithmonë i këndshëm.

Ishte një aktor shumëplanësh. Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, parodinë, vodevilin, gazmoren, farsën, intermexon, etj. Përjetonte dramën brenda personazhit, që e shpaloste në një interpretim virtuoz. Ishte mjeshtër për të përjetuar brenda një materiali letrar gjithë dridhjet e shpirtit të një personazhi. E personazhi që krijonte Tanoja nuk ishte as kloun, as palaço, por kishte humor të brendshëm, therës, kishte dramë, dhembje, kushtrim…

Tanoja përherë e kërkonte situatën. Kërkonte materiale ku parësore të ishte situata humoristike. E brenda saj, – thoshte gjithëherë Tanoja, – unë notoj. Situatën e quante si një “liqen”, që, po nuk pati shumë ujë, nuk ke ku dhe si noton.

Kur kishte situtën humoristike, ndërtonte dhe batutën dhe figurën. Të mos harrojmë se Tanoja luajti edhe role që nuk kishin situatë humoristike, sepse atë rol i ofronte regjisori. Nuk bënte naze, se nuk ishte aktor i nazeve. Pra, ka luajtur edhe role të dorës së dytë, të tretë. Në tërë atë galeri figurash që ka krijuar Tano Banushi, ka “shitur” shpirtin, aq sa kur ishte brenda rolit nuk ishte ai, Tanoja, që e njihnim në jetën e përditshme, hokatari, por ishte personazhi që fliste, interpretonte e na dhuronte emocion.

Tanoja ishte aktori zëmadh i humorit shkodran dhe shqiptar. Vazhduesi i denjë i humoristëve shkodranë, si: Osos të Falltores, Kasem Xhrrit, Zef Hilë Gegës, Kolë Tivarit, Gjon Krajnit, Matish Prendushit, Ndoc Temalit, etj.

Ai e vlerësonte me korrektesë (sepse ishte korrekt) çdo detaj, çdo batutë. Vlerësonte grimin për të cilin punonte shumë në studion e tij. Siç thotë studiuesi dhe kritiku Miho Gjini: “Arti i aktorit Tano Banushi ka ngjyrat e veta origjinale. Në procesin e tij krijues gjejmë nota individuale.”

Duke shkruar më tej, si një vazhdim bisede, kujtoj ende ca fjalë e shprehje të Tanos (si një kujtim për të, si një mesazh, si një porosi miku, si një aktor brilant që ka ende fjalë të pathëna…): “Në rol edhe mustaku duhet me folë, dhe pantalloni, edhe kasketa e vume mënjanë, edhe parruka… ndoshta edhe ngjyra e kravatës.”

Shpesh herë pyesim e do të pyesim: Po kush ishte Tano Banushi? Aktori Bruno Shllaku e përcakton kështu: “Tanoja ka vlerën e veçantë të një kronikani serioz. Çdo ngjarje, çdo kritikë, çdo vlerësim, çdo korrigjim që kishte të bënte me skenën e teatrit të estradës, ai me kujdesin më të madh i fiksoi në letër duke na dhuruar një arkivë të pasur e të pashoqe. Më 7 Gusht 1993, aktori i madh, komiku i fundit klasik i traditës së vjetër shkodrane, u nda nga jeta. Ai do t’i thonte lamtumirën pa zë shtëpisë së madhe “Migjeni“. Një urdhër i “marrë” nuk lejoi homazhet në hollin qendror të teatrit Migjeni. Humorist i pashoq, i thjeshti në madhështi, mbi supet e miqve e të shokëve ikte pa humor në banesën e tij të fundit. Sipari ishte mbyllur për këtë kolos të humorit. Por askush s’do t’i besonte ngjarjeve në vijim…” E, ato ngjarje do të ishin të dhimbshme për Tanon, i cili me humorin e tij karakteristik thoshte kur doli në pension: “Me këtë xhaketë hyra në teatër, po me këtë xhaketë dola nga teatri”. E, në këtë hapësirë vitesh, në atë skenë magjike, thjeshtësisht por rrezatueshëm Artisti Tano Banushi gdhendi jetën e tij artistike, lavdishëm.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd. Ju mirëpresim!

Post navigation

Artikull paraardhës: MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e merkurë, 6 gusht 2025…
Artikull pasardhës: MINUTA E FUNDIT – Policia e Shkodrës vë në pranga dy të rinj në kërkim, tentuan të dalin nga Shqipëria…

TË FUNDIT

jonuz delaj 0

IN MEMORIAM – Pas pak ditëve do të festonte ditëlindjen, ndërron jetë lahutari i madh Jonuz Delaj…

ShkodraWeb 16 April, 2026 0
cun lajci shkoder 2026

“Xhaxhi Enver ka me e marrë n’gji Kosovën”, aktori Çun Lajçi tregon ndodhinë në Shkodër në 1978 me bukën…

ShkodraWeb 14 April, 2026 0
Eric Adams shqiptar 2026

FOTOLAJM – Ish- kryebashkiaku i New Yorkut, Eric Adams mori nënshtetësinë shqiptare…

ShkodraWeb 14 April, 2026 0

TË FUNDIT

  • SHTYPI I DITËS – Çfarë shkruajnë gazetat shqiptare për ditën e sotme, e hënë, 20 prill 2026… 20 April, 2026
  • MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e hënë, 20 prill 2026… 20 April, 2026
  • HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e hënë, 20 prill 2026… 20 April, 2026
  • Dy të paraburgosur në Reç rrahin punonjësin e policisë së burgut, detajet nga ngjarja e rëndë… 19 April, 2026
  • VIDEO – Vazhdon të digjet landfilli i Bushatit, 20 efektivë dhe 3 mjete zjarrfikëse, nuk po i shuajnë dot… 19 April, 2026
  • Arrestohet 25- vjeçarja në makinë pa patentë, shpallet në kërkim 34- vjeçari që grabiti në Zdrale dyqanin 19 April, 2026
  • “Në pritje të përgjigjes nga institucionet”, KF Vllaznia i del në krah Martinit për bojkotin e Sakos… 19 April, 2026
  • DETAJET – Zbulohet bazë prostitucioni në Shkodër, arrestohet 5 persona, 3 shtetase kolumbiane… 19 April, 2026
  • MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e diel, 19 prill 2026… 19 April, 2026
  • HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e diel, 19 prill 2026… 19 April, 2026
  • Shpallet në kërkim një 23- vjeçar nga Shkodra, një shtetase 38- vjeçare e akuzon se e ka kanosur… 18 April, 2026
  • Humb jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës egjiptiani 35- vjeçar, policia jep detajet e para për rastin… 18 April, 2026
ame sidebar

TË FUNDIT

shtypi dites 2025

SHTYPI I DITËS – Çfarë shkruajnë gazetat shqiptare për ditën e sotme, e hënë, 20 prill 2026…

ShkodraWeb 20 April, 2026 0
moti 2025

MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e hënë, 20 prill 2026…

ShkodraWeb 20 April, 2026 0
horoskopi ditor

HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e hënë, 20 prill 2026…

ShkodraWeb 20 April, 2026 0
burgu rec

Dy të paraburgosur në Reç rrahin punonjësin e policisë së burgut, detajet nga ngjarja e rëndë…

ShkodraWeb 19 April, 2026 0
  • KUSH JEMI
  • KODI ETIK
  • PËRDORIMI
  • PRIVATËSIA
  • KONTAKTE
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
Portali më i klikuar në Veri | Nga 2017, Media e Lirë Online, me parimin “E Verteta nuk negociohet, sepse e Verteta të bën të lirë”. Informim, formim & argëtim, çdo gjë për audiencën. Ky është misioni ynë | Copyright ShkodraWeb © 2017- 2026 | Të drejtat të rezervuara | ShkodraWeb nga BDgraphDesign.