
Sot u mblodhëm për të kujtuar dhe nderuar Ndue Bacajn, jo vetëm si një emër të njohur në botën e letrave dhe publicistikës, por si një shpirt të rrallë që jetoi me dinjitet, ndershmëri dhe përkushtim të palëkundur ndaj Malësisë dhe kombit.
Në orën përkujtimore, mes miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt, ku u ndanë kujtime, fjalë mirënjohjeje dhe ndjenja të thella për një njeri që nuk e deshi vetëm Malësinë, por e ngriti zërin për të, e përshkroi me dhimbje e krenari, dhe e mbrojti me mendim të pastër dhe fjalë të drejtë.
Ndue Bacaj ishte ndër ata zëra të rrallë, që nuk shkruante për të kënaqur të përkohshmen, por për të mbrojtur të përhershmen. Ai i qëndroi kohës me kurajo e ndërgjegje, duke i dhënë Malësisë zë në shtyp, mendim në debat, dhe frymë në letërsi, por mbi të gjitha hodhi dritë mbi historinë e saj.
Në një botë që shpesh harron njerëzit e vërtetë, figura e tij mbetet kujtesë e gjallë e një përkushtimi që nuk kërkonte shpërblim, por i shërbente një ideali më të madh se vetja.
Të kujtosh Ndue Bacajn është të kujtosh vlerat që na mbajnë gjallë si komunitet dhe si komb: dashurinë për vendin, ndershmërinë në fjalë, përkushtimin në punë dhe dinjitetin në qëndrim.
Ai nuk kërkoi kurrë lavdi, por e fitoi atë në zemrat tona, me thjeshtësi e përulësi. Pushoftë në paqe, e qoftë kujtimi i tij bekim për Malësinë dhe për të gjithë ata që mbajnë mend kuptimin e vërtetë të fjalës: Adhetar! /Publikuar në Facebook nga Mimoza REXHVELAJ/







