PERSONAZH SHKODRE – Mësuesi im i gjimnazit Eljaz Burazeri…

Kam qenë nxanësi i mësuesit Eljaz Burazerit në gjimnazin e mbrëmjes sepse më duhej edhe të punoja në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Nuk ishte e lehtë jeta në atë kohë, por as edhe në këtë kohë. Iliaz Burazeri ka qenë mësuesi më simpatik i shkollës. Edhe nga mosha ishte më i ri se të tjerët, me nxënësit bëhej si mik e si shok. Bente humor, ishte i çiltër. Kishte sqimë, i veshur shik, një mësues model për nga paraqitja dhe marrdheniet e hapura e të sinqerta me nxanësit, por siç kujton mësuesi tjetër Matish Serreqi, ish komshiu im, kështu ishte edhe me kolegët mësuesi Eljaz Burazeri. Shpirti i grupit, humori i tij ishte i admirueshëm.

Kur mbarova gjimnazin e mbramjes ai me pyeti, a do të vazhdosh studimet se je nxanes i mirë. I thashë po dhe i tregova dëshirën për degën gazetari. Ai më shikoi me mirësi, buzeqeshi e me tha “Ke për ta fituar”.


Nuk e harroj kurrë sepse më dha besim, të cilin për shkak të rrethanave të mia pa asnjë përkrahje, e kisha të munguar. Aq më tepër se vëllai i tij ishte shefi i Arësimit të Shkodrës, Qemal Burazeri, të cilin nuk e kam takuar kurrë, por më vuri në listën e studentëve për gazetari. Atë degë e kishin kërkuar edhe fëmijë kuadrosh të lartë në Shkodër. Qemal Burazeri preferoi ti afronte burse një njeriu që nuk kishte asnjë përkrahje, një punëtor, për të cilin nuk kishte asnjë ndërhyrje, përkundrazi pengesa. Profesori Hasan Lekaj, që drejtonte rrethin letrar të rinjëve të Shkodrës, më kërkoi e me tha, në Seksionin e Aresimit po bëhet luftë kundër teje, edhe po shpifin, por Qemal Burazeri të mbron.

Nuk e dija çfarë bëhej nëpër zyra. Isha në ankth. Më thanë se vit për vit dërgoheshin studentë për gazetari, por kur hynin në konkurs rrëzoheshin e i dërgonin në profile të tjera, Nuk i di çfarë ishte kjo mbrojtje nga Qemal Burazeri. Unë kisha botuar tregime në gazetën “Zëri i Rinisë”, por edhe plot shkrime tek gazeta “Jeta e re”, mirënjohje edhe për Vehbi Çangen që më lëshoi vërtetim si bashkëpunëtori më i mirë i gazetës lokale. Por ai merrte njeri në konsideratë këto kur vinte puna për një burse që e kërkonin fëmijët e bosave të partisë e pushteti të asaj kohe. E kur unë veç për të gjetur një punë krahu në Kombinat, në breg të Kirit, isha sorollatur te zyra e Zina Franjës tre muaj?

A kishte folë prof. Eliazi me të vëllanë, për mua nxënsin që kisha pasion letërsinë , nuk e di, por mua ai fat në jetë, të shkoja me studime në gazetari lidhet dhe me emrin e profesorit tim. Mbetem me një respekt të jashtëzakonshëm për mësues Eljaz Burazerin dhe të vëllanë Qemalin që nuk ngurroi t’i hap shtegun pasionit dhe vetë jetes sime. Në çdo kohë gjënden njerëz të mirë që pa asnjë interes veç shpirtit human, perkrahin e ndihmojne njerëzit në nevojë, ndaj për këta duhet të jemi mirenjohjes aq sa të kemi jetë. E mira nuk duhet të harrohet. Është fisnikëri të kujtosh njerëzit që të kanë bërë një të mirë, sado e vogël apo të madhe të ketë qenë ajo. /Nga Kolec P. TRABOINI, publikuar në Facebook/