
Ipeshkvi imzot Gjergj Meta, president i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, po përjeton një periudhë të veçantë në jetën e tij. Sot me 21 prill, ai feston 25- vjetorin e shugurimit meshtarak, duke hyrë në rrugën e përkushtimit të pandërprerë ndaj Hyjit dhe njeriut.
Ndërkohë, në ditën e fundit të këtij muaji, me 30 prill, imzot Gjergj Meta feston edhe 50- vjetorin e lindjes. Dy data mjaft të rëndësishme si njeri por edhe shërbëtor i Zotit.
Nga 50 vite jetë, më shumë se gjysmën ai ja përkushtuar njerëzve, si një bari i tyre në rrugën drejt vlerave të besimit katolik dhe mësimeve të Zotit. Për të kremtuar këto ditë të rëndësishme, ai ka zgjedhur një tjetër simbolikë të fortë, festën e Shën Gjergjit, që është edhe dita e emrit të tij, me 23 prill.
Në Katedralen e Rrëshenit “Jezusi i vetmi shpëtimtar i botës”, do të kremtohet Mesha e Shenjtë në orën 11:00. Mbas meshe, të gjithë besimtarët do të kalojnë edhe disa momente festive të gjithë së bashku, si një familje e madhe. /ShkodraWeb/




