PERSONAZH – Mjeshtrja e Madhe Drande Xhaj, shumëdimensionalja e skenës dhe ekranit shqiptar në vite…

Drande Xhaj u lind më 13 qershor 1957 dhe që në moshë të re shfaqi shenja të një talenti të lindur, duke u angazhuar që në bankat e shkollës në aktivitete të ndryshme artistike, si recituese dhe këngëtare, talente që me kalimin e viteve dhe me kujdesin e mësuesëve, erdhen duke u perfeksionuar, duke u bërë kështu premisa që një ditë edhe kjo lule e bahçes shkodrane të mbillet e të lulëzojë në skenën e madhe të Teatrit “Migjeni”.


Kjo ndodhi në vitin 1978, ku Drande Xhaj debutoi për herë të parë në këtë skenë përkrah mjeshtrave të mëdhenj të humorit Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Jolanda Shala, Katerina Biga, Gëzim Kruja, Zef Deda, Besnik Çinari, Sandër Ruçi, Edmond Halili, etj.

Si për çdo talent të ri edhe për Dranden kjo rrugë nuk ishte e lehtë, por duhet të kujtojmë se ajo u bë pjesë e një shkolle të madhe të artit, siç është Teatri “Migjeni” ky institucion kaq i njohur në të gjithë Shqipërinë.

Drande Xhaj me aktorin Tano Banushi

Vitet kalojnë dhe kjo artiste evolon dhe piqet artistikisht, duke u bërë kështu një nga yjet e skenës së humorit shkodran, por jo vetëm; ajo debuton me sukses edhe në kinematografinë shqiptare.

Dana, ashtu siç i pëlqen ta thërrasin shoqëria e familja, interpreton në dy filma të Kinostudios “Shqipëria e re”, “Thirrja” dhe “Shokët tanë të mirë”, si dhe në katër komedi, ku len gjurmë si një aktore e kompletuar dhe shumëplanesh.

Mbështet Shkodraweb Media në misionin e vet! FALEMINDERIT!

Ndryshimet e mëdha pas viteve ’90 sollën vështirësi edhe për këtë teatër historik, por ishin këta aktorë të mrekullueshëm që i mbijetuan këtij tranzicioni të egër, duke e mbajtur mbi valë edhe varkën e tyre, skenën, si të ishte shtëpia e tyre.

Jeta artistike e qytetit të Shkodrës kishte nevojë për ta, dhe ata me vështirësi të mëdha edhe financiare, arritën ta nxjerrin këtë varkë në breg, duke i rikthyer edhe një herë shkëlqimin e dikurshëm, këtij tempulli kaq të shenjtë për shkodranët.

Gama e aktiviteteve në skenën e Teatrit tani ishte më e larmishme, me estradë, me komedi, me koncerte show, me recitale dhe mbrëmje artistike dhe kudo në këto veprimtari Drande Xhaj do të ishte e pranishme si aktore, organizatore, por edhe si konferenciere.

Drande Xhaj në ceremoninë e çmimeve “Best 10 North” nga Buna 1

Një sukses të jashtëzakonshëm Artistja Drande Xhaj ka korrur edhe në aktivitete artistike në Europë si në: Gjermani, Zvicër, Londër, Itali, Greqi, Suedi, Austri, etj. Veçojmë këtu edhe interpretimin me aktorin e shquar Çun Lajçi ku ka triumfuar fuqishëm me vargjet e Fishtës.

Për karrieren kaq vitale të aktores Drande Xhaj, vlerësimet e tij i dha edhe dramaturgu i shquar prof. Fadil Kraja, gjatë një bisede, i cili u shpreh kështu: Mendoj se është itegruar me sukses në plejaden e aktorëve që i dhanë shkëlqim ndër vite Teatrit “Migjeni”. Mendoj se e meriton plotësisht titullin “Mjeshtre e Madhe” që iu akordua me rastin e 70-vjetorit të Teatrit të Shkodrës, i cili është “krijesë” e një qyteti me tradita të padiskutueshme artistike, siç e cilëson në librin e tij shkrimtari Xhahid Bushati.

Vlerësime të mëdha për kolegen dhe partneren e tij Drande Xhaj na dha edhe aktori i shquar i Estradës Profesioniste të Shkodrës “Mjeshtri i Madh” Besnik Çinari: Mjafton të thuash që Drande Xhaj ka punuar 40 vjet në Teatrin “Migjeni” ku siç ka thënë shoku jonë Arjan Çuliqi në Teatrin “Migjeni” me kalu një herë quhesh artist. Aktore e kompletuar, fat i madh i saj që ka punuar me aktorë të mëdhenj, por edhe fati jonë që kena pasur Dranden dhe vazhdojmë ta kemi edhe pse jemi në pension. Për vlerësim tjetër mund të them se është aktorja më e papërtueshme e Teatrit “Migjeni”.

Aktori dhe regjisori i shquar shkodran Bruno Shllaku e vlerësoi kolegen e tij Drande Xhaj me këto fjalë:

Një interprete e cila zotëron në mënyrë perfekte binomin humor dhe dramë. Një aktore e diapazoneve pa kufi. Ajo mishëron në mënyrën më profesionale dhuntinë e përcjelljes në mënyrë perfekte të fjalës tek publiku.

Një aktore që emocionalisht të befason kur është në dramë e në kohën tjetër të gajasë së qeshuri, kur ajo është në humorin e teatrit të estradës.

Drande Xhaj ka vite që navigon suksesshëm në pjesë të forta dramaturgjike. Nga kjo unë nxjerr një konkluzion që qysh në kry të herës rriskonte që të ishte një aktore e indekseve të dramës, gjë që artisti i popullit Lec Shllaku në teatrin e dramës e cilësonte si një Vitore Nino të dytë. Admiruese është kurajoja, patosi e serioziteti që vesh si një petk unik kjo aktore “Mjeshtre e Madhe”.

Një jetë e tërë në skenë, por gjithmonë e freskët, sa për një moment spektatorët shkodranë harrojnë se ajo ka 42 vite që performon para tyre, por vazhdojnë ta shohin, ta ndjekin, ta pëlqejnë e ta duartrokasin sikur këto vite nuk ekzistojnë.

Drande Xhaj me aktorin Zef Deda

Mosha bën punën e vet, siç thonë, por tek artisti nuk ndodh kështu. Shpirti i artistit të madh nuk plaket dhe nuk vyshket kurrë.

Përveç publikut, si vlerësuesi më i mirë i artistëve, Drande Xhaj është vlerësuar me tituj nderi gjatë gjithë karrierës artistike, tituj të cilët ajo i ka merituar, sepse nga viti në vit ka qenë një ndër aktoret më aktive dhe më produktive.

Këtu mund të përmendim vlerësimet nga institucionet më të larta shtetërore, kombëtare e lokale, duke filluar nga Urdhri “Naim Frashëi”, “Mirënjohje e qytetit” në Shkodër, “Qytetare Nderi” në Malësinë e Madhe, “Personazh i shquar” i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, “Personazh i shquar” i Pegasi Albania, “Mirënjohje” e Shkrimtarëve dhe Artistëve Pejë. Në Festivalin Kombëtar të Komedisë Shqipe në Mitrovicë, tre vite radhasi është vlerësuar me çmimin “Aktorja më e mirë e Festivalit”, për të ardhur te akordimi i titullit më të lartë “Mjeshtre e Madhe” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Këto nderime dhe dekorata janë një vlerësim i madh për punën e kësaj aktoreje të palodhur, që e freskon skenën, por që edhe skena e rinon atë. E tillë ka qenë, është dhe do të mbetet kjo artiste, Mjeshtre e Madhe e humorit Drande Xhaj për skenën shkodrane dhe shqiptare, sepse në radhë të parë kështu e ndjen veten edhe vetë ajo. Edhe unë si autor i këtij shkrimi, ashtu si kolegët e saj dhe si gjithë publiku shkodran dhe mbarëshqiptar, i uroj nga zemra jetë të gjatë, suksese pa fund dhe rini të përjetshme në karrierën e saj artistike. /Nga Ramazan ÇEKA/


REKLAMAT NË KËTË FAQE, JANË I VETMI BURIM PËR TË GARANTUAR PAVARËSINË, PAANËSINË DHE PROFESIONALIZMIN E KËSAJ MEDIA. NËSE KENI MIRËSINË NË KËTO REKLAMA, JU NA JEPNI NJË MBËSHTETJE TË ÇMUAR! FALEMINDERIT!

Fibank Albania

Banka Credins