Për herë të parë emrin e Kol Macës që shihet në këtë fotografi, e kam degjue nga Dada Katrinë që e kishte Kol Idromenon dajë, me një fjalë e bija e Motres Tone.
Atë kohë më ka treguar një histori që unë e kam përmendur edhe në një libër. Ai ka qenë shegert i Kol Idromenos në studion e Kolës ku kishte gjetë dhe strehim. Por ma vonë si e fitoi mjeshtrinë, Kol Maca shkoi në Tiranë e hapi aty një studio fotografike.
Kol Maca vinte herë pas here në Shkodër me marrë xhama fotografikë sepse Kol Idromeno porosiste me shumicë dhe u jepte edhe fotografëve të tjerë. Në një nga këto ardhje, Kol Maca ka marrë me vete dhe shegertin tjetër të Kol Idromenos, jetimin me emrin Zef. Pikërisht duke ndjekur linjën e Zefit, kam kërkuar në Tiranë në 1978- 1980 gjurmët e Kol Macës.
Më së fundi arrita të gjej familjen e tij, më saktë të birin që mos gabohem quhej Robert dhe bisedova me të në Kombinat, se atje jetonte, shpresoja mos kishin arkiv fotografik për të gjetur ndonjë foto të Zefit.
Kol Maca kishte vdékùr dhe tërë fondi i tij qe prishur. Një fatkeqësi kjo sepse ka punuar me dekada në Tiranë si fotograf. E kërkoja atë fond sepse Zefi për të cilin interesohesha, ishte nga Malësia e jonë dhe kishte rënë ne Luftën e Spanjës dhe kurrfarë indentiteti nuk i gjendej.
Ai u shpall hero dhe kurrkush nuk e dinte biografinë e tij. Në fakt dolën disa njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me të dhe thanë se e kemi tonin…dhe ua dhanë, kështu heroi edhe me ndihmën e Veli Dedit me të cilin e pata biseduar këtë punë gjerësisht, u adaptua në Mamurras dhe Rapsh Stare.
Une këtë fotografi po e marr me lejen tuaj sepse është pjesë e një historie të mbetur në enigmë e vetëm ky burrë në këtë fotografi, Kol Maca, do të mund ta sqaronte. Por si gjithmonë, shumë ngjarje në histori vdésin bashkë me njeriun. /Nga Kolec TRABOINI, botuar me 18 shtator 2011/