PERSONAZH – E papërsëritshmja Zyliha Miloti feston ditëlindjen, ikona e humorit shqiptar që vitet i ka thjesht numra

Nëse mund të thuhet se vitet janë thjesht numra, pa asnjë efekt tjetër, kjo mund të thuhet për Zyliha Milotin. Aktorja e mirënjohur e skenës por edhe ekranit, nuk njeh moshë. E themi këtë, pasi sot ylli i humorit shqiptar, feston ditëlindjen dhe ajo vazhdon të mbetet e njejta, në pamje dhe në karakter, e njëjta “zonjë e randë” e respektuar nga të gjithë. Zyliha Miloti është një aktore e mirënjohur nga Shkodra. Pa më të voglin dyshim, me artin esaj, me aktrimin e saj, si pjesë e një brezi të mrekullueshëm aktorësh shkodranë, Zyliha Miloti ka shkruar epokë në humorin shqiptar.


Lindi më 11 janar të një viti që ajo nuk e tregon aspak.

Pa i mbushur 14 vjet, kur ishte në klasën e 7-të, u paraqit për herë të parë para publikut si një këngëtare e vogël shumë e talentuar ndërsa si aktore e humorit, ajo e filloi në moshën 20 vjeçare në estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës, pranë teatrit “Migjeni”.

Zyliha Miloti, numëron me qindra role në karrierën e saj të shkëlqyer ndërsa galeria e personazheve që krijoi dhe eksperienca e saj, bënë që ajo të mbetet një nga aktoret e shquara në skenën e humorit shqiptar. Krijoi figura grash prepotente e zotëruese ndaj burrave, llafazanë apo të llastuara, sikundër edhe femra snobe, malësore disi naive apo ”burrnesha”, zyrtarë e intelektalë të kohës etj.

Në aktrimin e saj, vërehen më pak elementët e groteskut, duke qënë më aktive te një humor me theksa realiste e sjellja sa më pranë modeleve jetësore. E paarritshme në skenë, gjithmonë e respektuar dhe modeste, Zyliha Miloti është një artiste me botë të pasur shpirtërore, në interpretimin e së cilës rrjedh natyrshëm humori shkodran.


Partnere e parapëlqyer e aktorit të mirënjohur Tano Banushi sikurse edhe e Zef Dedës me të cilin ka luajtur shumë pjesë të shkurtra për estradë (Fotografisti, Në spital, Kunati i shokut Xhemal, Truall i zënë , Toka jonë etj.).

Në vitin 2006 luajti rolin e Gjylit në pjesën “Nje histori e thjeshtë” të Edmond Mehillit, në teatrin ”Migjeni ”, me të cilin fitoi çmimin si ”Aktorja më e mirë ”në Festivalin e aktrimit ”Apollon 2006”.

ShkodraWeb Channel

Një gjysëm shekulli karrierë artistike në Teatrin e Estradës dhe gjatë këtyre viteve ka realizuar më shumë se 250 premiera shfaqjeje. Me rastin e ditëlindjes, ShkodraWeb Media i uron mjeshtres së humorit shqiptar Zyliha Miloti, jetë të gjatë, shendet dhe lumturi në çdo hap të jetës.

ShkodraWeb Channel

ShkodraWeb Channel