Skip to content
16 February, 2026
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

Since 2017, the most followed news portal and entertainment in the North of Albania

njoftime banner 2025
Primary Menu
  • KUSH JEMI NE
  • AKTUALITET
  • KRONIKË
  • POLITIKA
  • SPORT
  • MAG&VIP
  • DOSSIER
  • ANËMBANË
  • VIDEO NEWS
  • RRETHE
    • Malësia e Madhe
    • Lezha
    • Vau- Dejës
    • Puka
    • Vendi
  • NA SHKRUANI
ShkodraWeb TV

PERSONAZH/ Drama me 3 akte e gjyqit të këngëtarit lirik Lukë Kaçajt…

ShkodraWeb 4 April, 2019
luk kacaj gruaja 26g18

Jemi në korrikun e vitit 1973. Nuk kishin kaluar as dy muaj që nga 28 maji, kur Lukë Kaçajt iu vunë prangat në shkallët e Institutit të Lartë të Arteve. Siç shkruan Loro Sata, në librin kushtuar basit të madh, “Legjendat nuk vdesin”, ajo ditë korriku nisi me një rrebesh vere, që do ia linte vendin një të nxehti përvëlues, për ta rënduar edhe më atmosferën në sallën e gjyqit, ku artisti do të shfaqej në rolin e të pandehurit, në dramën e jetës së tij. Kjo dramë kishte nisur më shumë sesa 10 vjet më parë kur Lukës, së duartrokitur dhe të vlerësuar nga publiku dhe kritika botërore, i kishin ndaluar përgjithmonë skenën në vendin e lindjes. Paralajmërimi më i fuqishëm i ishte dhënë në prill të atij viti, kur në një mbledhje të Organizatës Bazë të Partisë, Lukë Kaçajt i ishin numëruar disa faje. I ishte përmendur një letër dërguar një shoku bullgar të konservatorit; një deklaratë që sipas tij, artistët në Shqipëri trajtoheshin keq, jetonin të izoluar dhe në mjerim ekonomik si i gjithë vendi dhe një barcaletë që, kur në Tiranë kishte ardhur skuadra e Ajaksit, ai e kishte quajtur skuadra e Dajaksit. Në atë mbledhje, dikush arriti deri aty, sa të kërkonte që Lukës t’i hiqej e drejta e mësimdhënies në Institutin e Lartë të Arteve. Tani po përgatiteshin për ta shkulur edhe nga familja, nga bashkëshortja Ana, nga muzika dhe poezia, nga librat e nga miqtë, edhe pse, siç do vërtetohej në atë sallë, jo të gjithë miqtë ishin siç i kishte menduar.

Hapja tronditëse

Të pranishëm në gjyq, ishin studentë apo ish-studentë të Kaçajt dhe miq të vërtetë, që u treguan të guximshëm duke ardhur aty, siç ishte autori i librit, Loro Sata, apo katër balerinët e Teatrit të Operas dhe Baletit, D.S, E.T, R.B dhe F.K., Faruk Koka, i cili pak vite më vonë do ta pësonte njëlloj si Luka, duke u arrestuar dhe dënuar, kishte bashkëstudentë të tij në konservatorin “P. I. Çajkovski” dhe pedagogë të Institutit të Lartë të Arteve, si sopranoja lexhero H.S, tenorët Xh.A dhe I.T, por dhe të tjerë që ishin thirrur në gjyq nga organet e sigurimit si dëshmitarë, të cilët Loro Sata nuk i përmend, duke respektuar porosinë e Lukë Kaçajt, që nuk hoqi kurrë dorë prej deklaratës hyjnore, “Zot fali nuk dinë çka bajnë!”.

I zbehtë, tejet i dobësuar, me shenjat e prangave në duar, këngëtari me trup vigani edhe pse i tjetërsuar nga vuajtjet në qeli, mundohej të mbante qëndrim krenar, siç shkruan Loro Sata. Flokët biond, që ai u mundua t’i rregullojë me duart që mezi i bindeshin, nuk ia kishin prerë, por shkëlqimin e syve të kaltër ia kishin shuar. Me ata sy pa, për herë të parë që kur e kishin arrestuar, familjen. Në radhën e parë, në krahun e tij të djathtë, siç përshkruhet në librin e Loro Satës, ishin ulur, e ëma, nëna Tone, bashkëshortja, Ana, vëllai i tij i madh, Gjoni dhe motra e Anës, Linda. Gjoni i kish porositur, jashtë sallës, të mbaheshin fort, por pamja aq e ligështuar e Lukës, ishte e papërballueshme. Ana, sapo iu kryqëzua shikimi me të Lukës, belbëzoi diçka të padeshifrueshme, ia dha një të qeshure, pastaj një të qare dhe u plandos në tokë. Ata që ishin ulur me të u çuan njëherësh, por polici në sallë thirri që mos të lëviznin. Ujin do ua sillnin ata, i bërtiti Lindës që po kërkonte një gotë ujë për Anën. Në atë çast, siç vazhdon rrëfimin Sata, kur të gjithë sytë ishin kthyer nga Ana, u dëgjua një e thirrur “Ndal! Ku vete mo ti… ”. Një polic trupmadh i ishte turrur të akuzuarit, ndërsa të tjerët kishin rrethuar të pranishmit. Luka, i tronditur nga ajo që po i ndodhte Tushes së tij, pa marrë parasysh ku ndodhej, ishte vërsulur drejt saj, por në atë kohë polici e kishte ndaluar. Dhe sapo familja ishte riulur në stol, pasi Ana ishte përmendur, Luka që vazhdonte të përsëriste emrin e saj, ishte rrëzuar pa ndjenja. Gjyqi nuk mund të vazhdonte atë ditë. Seanca u shty. I mjaftoi ai akt i parë i dramës, për të parë shokët e dikurshëm që e kishin sjellë aty. Duhet të ishte një goditje shumë e rëndë për një njeri me shpirt të madh si Lukë Kaçaj, që, siç tregon Loro Sata që e njihte mirë, nuk i kish bërë kurrë keq njeriu dhe kishte treguar gjithmonë dashuri dhe besnikëri ndaj njerëzve dhe vendit të tij.

Lahuta e Malcisë, kjo armë pa lejë e diktaturës

Kujto.al vijon të sjellë ngjarjet e atij gjyqi siç tregohen në librin e Loro Satës. Seanca e dytë u zhvillua një javë pas së parës. Kryetari i seancës, i njëjti i javës së kaluar dhe i të gjitha seancave, nga i njëjti qytet verior me Lukën, iu drejtua të pandehurit të ngrihej për t’iu përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues duke i bërë thirrje edhe prokurorit Mahmut Taraba, për të gjykuar mbi problemet e rëndësishme që do të shfaqeshin.

Prokurori i ishte drejtuar Lukës, duke i thënë që ai mbronte një farë padër Gjergj Fishta, duke e quajtur poetin më të madh shqiptar të të gjithë kohërave, Homerin e Shqipërisë dhe gjithë Evropës. “Dëgjo këtu o i pandehur, çfarë shkruan Ismail Kadare për Gjergj Fishtën”, kishte vazhduar ai, duke hapur librin “Autobiografia e popullit në vargje”, të shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, të vitit 1972, të shkrimtarit Ismail Kadare dhe duke lexuar mbi faqen 44, ku shkruhej që për këtë poet dhe sidomos për “Lahutën e Malcisë”, propaganda klerikale dhe fashiste ka krijuar një mit dhe ky mit është fenomeni më regresiv në historinë e zhvillimit të letërsisë sonë. Pasi lexon edhe në disa faqe të tjera, prokurori pyet Lukën se çfarë kishte për të thënë.

Lukë Kaçaj, sipas dëshmisë që gjendet në librin kushtuar atij, “Legjendat nuk vdesin”, kur kishte marrë fjalën, kishte shprehur vlerësimin për Kadarenë, duke shtuar që për sa i përket Gjergj Fishtës, Kadare ashtu e njeh dhe ashtu shkruan dhe nëse “do më pyesnit përse e bën këtë ai, them dhe besoj se ai e din më mirë nga unë”, por “Verum poeta, propheta est”, “poeti i vërtetë është profet”, kishte thënë ai në latinisht duke kujtuar vuajtjet e Fishtës dhe shprehjen biblike “Nemo propheta in patria”, “Askush nuk është profet në atdheun e tij”. Këtu kishte nisur breshëria e kritikave nga prokurori dhe një anëtar i trupit gjykues kishte vazhduar sulmin për Lukën. Ai i kishte përmendur shprehjen e njohur latinisht “Vox Populi Vox Dei”, të cilën, Luka ose frat Saverini, siç njihej ai mes fretërve, duhet ta njihte mirë si ish-nxënës i Kolegjit Françeskan dhe liceut “Illyricum” . Pjesën e parë të shprehjes e mbante gazeta “Zëri i Popullit”, por për këtë gazetë, Luka kishte thënë “aq sa ka çmimin, aq ka edhe vlerën”. Kërkesës së tij për shpjegime, Luka i ishte përgjigjur “Kam thënë, atë që kam thënë”. Nuk kishte mbetur shumë për të thënë. Një tjetër anëtar i trupit gjykues kishte përmendur një dëshmi të bërë në atë sallë, ku thuhej që Luka nuk e kishte qejf muzikën popullore shqiptare dhe që adhuronte Ba-c-h-in, duke gërmëzuar mbiemrin e kompozitorit Bach dhe duke e bërë sallën të shkrihej gazit etj.etj..

Pasi kishin mbaruar fjalët e trupit gjykues, dëshmitarëve dhe prokurorit, kryetari i seancës i kërkon të pandehurit çfarë ka për të thënë. Me një zë të mbytur nga gjendja shëndetësore e rënduar gjatë kohës që kaloi në qelinë e Degës së Punëve të Brendshme, Luka tha që trupi gjykues dhe dëshmitarët e dinin mirë përse folën ashtu siç folën kundër tij, por, forcoi zërin dhe shtoi “nuk i ka le Lukë Kaçajt në shpirt, zemër e mendje, tradhtia, jo kurrë për sa jetë të kem”. Sa për kolegët që folën kundër, mesa duket ata ishin mposhtur nga frika që madhështia e tij mund t’i errësonte, ndaj vendosën t’i shpallnin luftë, por jo në skenë, por në rrugë të tjera. Siç dëshmon Loro Sata në librin e tij, kaq foli Lukë Kaçaj dhe u mbyll në vete. U hodhi një vështrim mëshirues dëshmitarëve dhe më pas mbështolli me një shikim të butë, njerëzit e familjes dhe miqtë e vërtetë që vuanin në atë sallë bashkë me të.

Finalja

Seanca e tretë dhe e fundit. Gusht 1973. Pretenca e prokurorit ishte dhënë. Sigurisht nuk ishte harruar, mes të tjera mëkatesh, as Bibla me firmën e Gjergj Fishtës që i kishin gjetur gjatë kontrollit të banesës ditën e arrestimit. Kryetari i seancës lexoi vendimin. Lukë Kaçaj, “…mbi veprimtarinë e tij armiqësore, propagandën armiqësore kundër Partisë dhe popullit shqiptar, dënohet me 5 vjet heqje lirie.” Bashkë me Lukën, burgosën dhe zërin e tij. Në radio nuk transmetoheshin më ariet e kënduara nga Kaçaj. Vendit të tij iu mohua ai zë që skenat e huaja e lakmonin.

Disa ditë më vonë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, familjarët mësuan ku do ta vuante dënimin Luka. E kishin çuar në burgun e Ballshit, atje ku shkonin zakonisht të burgosurit e sëmurë. Lukës i ishte kthyer një i ftohtë i vjetër dhe nervat i ishin dobësuar shumë gjatë kohës së izolimit, ndaj dhe e çuan në këtë burg. Punën e rëndë, sistemi, do ia rezervonte kur të dilte që andej, duke e caktuar hamall te Pazari i Ri. Çfarë vendi ky që Luka i dha zemrën dhe jetën! Hamejtë i kishte talente botërore!/Kujto.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd. Ju mirëpresim!

Post navigation

Artikull paraardhës: MINUTA E FUNDIT/ Shtyhet vendimmarrja për ish- prokuroren Rovena Gashi, KPA nuk pranon motrën e saj si….
Artikull pasardhës: FOTO/ Gjendet një predhë 300 kilogramëshe, dyshohet se është hedhur nga një avion italian në vitin 1939…

TË FUNDIT

laura colturi 2026

Olimpiada Dimërore, zhgënjen italiania Colturi që përfaqëson Shqipërinë, vetëm e 16- ta në slalomin gjigant

ShkodraWeb 15 February, 2026 0
paulin macaj rrjolli 2026

NGA PAULIN MACAJ – Pse Rrjolli i Velipojës është beteja e të gjithëve, faktet që shteti fsheh…

ShkodraWeb 14 February, 2026 0
agaci guri 2026

MINUTA E FUNDIT – Largohet me dorëheqje Ëngjëll Agaçi, Rama ndryshon edhe shefen e kabinetit…

ShkodraWeb 13 February, 2026 0

TË FUNDIT

  • EMRAT – Zgjidhet edhe Komiteti Ekzekutiv i FSHF- së, Armando Cungu përfaqëson Shkodrën… 16 February, 2026
  • Udhëheq futbollin shqiptar për katër vitet e ardhshme, Armand Duka merr besimin e plotë të Asamblesë 16 February, 2026
  • Arrestohet 53- vjeçari i shpallur në kërkim, dyshohet për kultivim kanabisi në Malësi të Madhe… 16 February, 2026
  • SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, ja kur Kuvendi do të mblidhet për të shqyrtuar heqjen e imunitetit 16 February, 2026
  • Arrestohet nga policia 39- vjeçari nga Malësia e Madhe, ushtroi dhunë ndaj nënës së tij… 16 February, 2026
  • Shqipëria po kthehet në një azil të madh, popullsia mbi 65 vjeç si ka ndryshuar demografia në 10 vite… 16 February, 2026
  • SHTYPI I DITËS – Çfarë shkruajnë gazetat shqiptare për ditën e sotme, e hënë, 16 shkurt 2026… 16 February, 2026
  • HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e hënë, 16 shkurt 2026… 16 February, 2026
  • MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e hënë, 16 shkurt 2026… 16 February, 2026
  • VIDEO – Vllaznia feston 107- vjetorin në mënyrën më të mirë, mund Elbasanin dhe shkon në +5… 15 February, 2026
  • Olimpiada Dimërore, zhgënjen italiania Colturi që përfaqëson Shqipërinë, vetëm e 16- ta në slalomin gjigant 15 February, 2026
  • RAPORTI – Situata e përkeqësuar e motit, ja si paraqitet situata në 5 bashkitë e qarkut të Shkodrës… 15 February, 2026
ame sidebar

TË FUNDIT

ke fshf 2026

EMRAT – Zgjidhet edhe Komiteti Ekzekutiv i FSHF- së, Armando Cungu përfaqëson Shkodrën…

ShkodraWeb 16 February, 2026 0
Armand-Duka-2026

Udhëheq futbollin shqiptar për katër vitet e ardhshme, Armand Duka merr besimin e plotë të Asamblesë

ShkodraWeb 16 February, 2026 0
arrest 2026

Arrestohet 53- vjeçari i shpallur në kërkim, dyshohet për kultivim kanabisi në Malësi të Madhe…

ShkodraWeb 16 February, 2026 0
balluku prokuror1 spak 2025

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, ja kur Kuvendi do të mblidhet për të shqyrtuar heqjen e imunitetit

ShkodraWeb 16 February, 2026 0
  • KUSH JEMI
  • KODI ETIK
  • PËRDORIMI
  • PRIVATËSIA
  • KONTAKTE
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
Portali më i klikuar në Veri | Nga 2017, Media e Lirë Online, me parimin “E Verteta nuk negociohet, sepse e Verteta të bën të lirë”. Informim, formim & argëtim, çdo gjë për audiencën. Ky është misioni ynë | Copyright ShkodraWeb © 2017- 2025 | Të drejtat të rezervuara | ShkodraWeb nga BDgraphDesign.