
Vetëm 24 orë si datë por sigurisht vite të ndryshme, ndajnë nga ardhja në jetë dy aktore të spikatura, të atij që mund të quhet “brezi i artë i Teatrit ‘Migjeni'”, Donika Franja dhe Shpresa Garuci. Aktiviteti artistik i tyre, ka kaluar kufijtë e Shkodrës dhe të skenës së Teatrit “Migjeni”, duke u bërë të njohur e të dashur brenda e jashtë Shqipërisë.
Aktorja Donika Franja, u lind me 7 dhjetor ndërsa Shpresa Garuci, një ditë më pas, me 8 dhjetor. U bashkuan falë talentit, shpirtit të tyre dhe përkushtimit, si pjesë e trupës së Teatrit “Migjeni” të Shkodrës por edhe e kinematografisë shqiptare përmes disa roleve.
Donika dhe Shpresa, jo vetëm ishin pjesë e plejadës së shkëlqyer të aktorëve të Teatrit “Migjeni”, por interpretuar me emra të mëdhenj, të paharruar e të papërsëritshëm të artit shqiptar. Jo vetëm duke qenë partnere të denja në skenë e në krah të tyre, por duke spikatur me vlerat e tyre artistike.
Franja zhvilloi aktivitetin e saj në vitet ’70 deri në mesin e viteve ’80. Garuci, dha kontributin e saj për artin për rreth 25 vite. Rolet e interpretuara nga këto artiste të spikatura, kanë lënë gjurmë tek të gjithë ata që i kanë ndjekur në skenë apo ekran. Ndërsa është detyra jonë të mos i harrojmë, por tu japim nderimin e vlerësimin e duhur dhe që ndoshta nuk e morën kurrë nga institucionet.
Por vlerësimin më të madh, ata e kanë marrë përmes duatrokitjeve të spektatorëve, të cilët edhe sot e kësaj dite vazhdojnë ti duan e ti respektojnë. Gëzuar e jetë të gjatë Donika Franja & Shpresa Garuci, jeni përherë të reja ashtu si në rolet që vazhdojmë t’ju shohim, përmes videove apo fotove! Faleminderit për kontributin tuaj për artin, për jetën tonë! /ShkodraWeb Media/