E thërrisnin Landi. Emrin e vërtetë e kishte Jolanda. Shkurtimi i emrit nuk kishte të bënte me ndonjë episod apo kujtim fëmijërie. Jo, ishte thjesht një përligjje lirike që rrezatonte ngjyrat më të bukura të ndjesisë njerëzore e humane, sepse konvergonin të gjitha te dashuria që kishin për të: të afërmit, miqtë, dashamirët, kolegët e punës…, si dhe rrugica e fëmijërisë, së cilës shpejt do t’i thoshte: Lamtumirë! Porta e drunjtë nuk do të çelej më. Do të shuheshin edhe trokitjet. Zogjtë do të ishin të vetmit dëshmitarë të ikjes së saj. Në fluturimet e tyre, tani, do të kishte diçka prej loti, qielli e ëndrre të Landit të vogël.
Kështu e thërrisnin Jolandën, Landi. Kështu i mbeti emri. E shoqëroi Landi Jolandën (Shala), jo 37 vjet sa ishte jeta e saj (14 maj 1947 – 22 nëntor 1984), por edhe sot e kësaj dite.
Një jetë me shumë me ëndrra! Çelën në maj, u venitën dhe u thanë në nëntor. Një rriskë qielli mbushur me xixëllonja maji! Ashtu siç do të thoshte Anni Filipi për të shoqin, Zherar-in: “Po çfarë përfaqëson një jetë njerëzore në krahasim me përjetësinë? Kohën e një psherëtime.”
Vetëm kaq apo më shumë?!..
Fëmijëria e saj rrinte si një pikë loti mbi qerpikun e njomë, pezull mbi faqen e brishtë. Prindërit i vdiqën herët.
Së bashku me vëllezërit e saj, i thanë lamtumirë shtëpisë së vjetër me çardak e parmakë atje në lagjen “Skënderbeg”. I thanë lamtumirë: pusit me çikrik, kumbullës ku lidhte shtregullën, trëndafilave që lulëzonin përgjatë bordurave të shtëpisë. Një lamtumirë gjithë trishtim, përmes pikave të shiut që ofronte vjeshta shkodrane si në pikturat e Vladimir Janit
Landi gjithçka do të kujtonte nga ajo vjeshtë. Me mall do të kujtonte tingujt drithërues e shpesh herë melankolikë të serenatave shkodrane përballë avllive me shermashek e dritareve kafazlije, që dilnin nga shpirti përvëlues i violinistit plak, zotni Gasprit. (Eh, zotni Gaspri, me at’ kapelën e vjetër republike që s’e hiqte asnjëherë, me mustaqet e holla, fytyrën thatanike, mollëzat pak të dala, me kostumin ngjyrë kafe ku i shfaqej një xhamadan e një zinxhir ore i sermtë, me sytë ëndërrimtarë. Edhe pse i kërrusur, gishtërinjtë e plakur lëviznin si ndër ëndrra. Ajo botë e magjishme tingujsh sikur ia hiqnin pleqërinë.).
Në atë shtegtim Landi do të përjetësonte në zërin e saj, ëmbëlsinë e zërit të nënës së saj, Marijes, e cila ashtu e ulur shkallëve, duke ecur nëpër çardak apo e mbështetur pas parmakëve këndonte bukur jaret shkodrane, të cilat i zgjonin sa dëshira të fjetura..!
Në Shtëpinë e Fëmijës kaloi shumë vite. Shkollën 7-vjeçare e kreu në “11 Janari” (sot “Martin Camaj”). Më pas mbaroi shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka”, për mësuese. Që në bankat e kësaj shkolle u duk prirja drejt artit. U shqua edhe si balerinë. Për këtë në vitin 1967 mbaroi një kurs katër mujor në Tiranë, nën kujdestarinë e baletmaestres Zoica Haxho. Mësuesja-balerinë ishte edhe si nënë për Landin. Zëri i ëmbël, takti i duhur, lëvizjet nazike…, sikur kishin gjëra të përbashkëta mes tyre, ndaj dhe shpesh trokisnin në të njëjtën portë kujtimesh.
Në Estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës, Landi filloi punën më, 01.04.1968. Ndonëse karriera artistike qe e shkurtër, ajo mbeti një aktore e talentuar në skenën e estradës profesioniste të teatrit “Migjeni”, duke lënë gjurmë edhe në rolet më të vogla. Veçanërisht, së bashku me aktoren e talentuar Zyliha Miloti, krijuan një duet të këndshëm, plot ngjyresa humori në interpretimin e shumë gjinive e zhanreve të estradës shkodrane.
Çdo rol që i besohej kërkonte e këmbëngulte që atë figurë që krijonte ta plotësonte derisa të shfaqej si karakter i plotë. E qëndiste. Ishte e kujdesshme qoftë edhe për një përparëse të vogël që i duhej personazhit, pa le për garderobën e rëndë. “Duke parë natyrën e saj si aktore, – do të thoshte, në një bisedë vite më parë, regjisori Paulin Sekuj, – Jolanda punonte ngadalë e me kujdes. I kushtonte vëmendje detajit për të tipizuar më mirë personazhin e për të krijuar doemos situatën humoristike.”
Puna e Jolandës, si aktore në gjininë e humorit sikur përligjte një thënie të Stendalit që shkruante: “Detaji më i vogël, situata më e vogël, kanë rëndësi vendimtare, shkaktojnë të qeshurën ose i kundërvihen asaj.”
Tekstin jo vetëm e nënvizonte disa herë, por edhe e rikrijonte. Kjo veçori e punës aktoriale, që për regjisorin dhe trupën artistike nuk ishte më sekret, bënë që në lamtumirën e fundit, për Landin, në mes të tjerave të thuheshin edhe këto fjalë: “Ne i kemi të gjalla në kujtesë preokupimin e saj për punën e madhe që ajo bënte me rolet, shqetësimin që nuk i ndahej deri në shfaqjen e fundit, për të krijuar figura sa më të bukura, reale, që kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesën e shikuesit”.
Landi shpesh në biseda me kolegët, si me Tano Banushin, Hasan Smajën, Hajrije Sulën[2], Paulin Prekën, Zyliha Milotin, Katrina Bigën, shprehej se “aktori nuk duhet ta çojë rolin te vetvetja, por vetveten duhet ta shkrijë në rol. Kështu del në pah talenti i aktorit, sa vlen ai…”
Në punën e saj krijuese Landi i diferenconte karakteret njëri prej tjetrit pa krijuar stampë e monotoni. Ndryshe do ta shikoje në një grua fshatare, ndryshe në një komedi muzikore, një pamje tjetër në rolin e shkueses, një tjetër të një llafazaneje apo në karakterin e bukur që krijoi te Tazja (cikli: “Tazja me Lacën”), apo në rolin e një fëmije, etj., etj.
Si aktore e profilit komik, portreti i saj plotësohet me paroditë, vodevilet, komeditë e operat muzikore…, në 60 shfaqjet që mori pjesë, duke interpretuar në rreth 180 role. Interpretimet e Landit i kujtojmë në premierat: “Ballafaqimi”, “Nën tik-takun e orës”, “Shigjeta thumbuese”, “Laj e shplaj, qit në diell e thaj”, “Peshqeshi i fundit”, “Ngjyrat pranverore”; komedinë: “Fundi i një komedije” të F. Krajës, etj.
Gjurmët që la në skenën e estradës, duke kujtuar këtë apo atë personazh, patjetër na sjellin në kujtesë gjithmonë një grua: me fytyrë të hajme, me flokë të gjatë onde-onde, me baluke përpara, elegante, të qeshur e gazmore; një emër: Jolanda Shala, me sytë e saj të kaltër, shprehës e depërtues deri në dhembje të shpirtit të mirë e plot humor. Jo vetëm të shpirtit shpirtmirë, por ato sy flisnin e flisnin shumë! Një pasuri e rrallë dhe e vyer që e ëndërron ta ketë çdo aktor! /Nga Xhahid BUSHATI, marrë nga libri “Teatri Migjeni, kujtesa e një qyteti”/