Policia e Shtetit ka bërë një njoftim zyrtar lidhur me tubimin dhe përplasjen e uniformave blu me protestuesit paraditen e sotme në Tiranë. Siç dihet, prej ditësh tashmë banorë që preken nga ndërtimi i Unazës së Re në kryeqytet, protestojnë me mbështetjen edhe të opozitës.
“Gjatë protestës që përshkallëzoi në akte dhune ndaj forcave të rendit, përballë godinës së sallave plenare të Kuvendit të Shqipërisë janë plagosur 6 efektivë të Policisë së Shtetit. `
Efektivët janë lënduar me mjete të forta dhe piroteknike, hedhur nga tubuesit mbi punonjësit e Policisë, të cilat dhe janë dërguar në spital për ndihmë të specializuar mjekësore. Një punojëse policie ka dëmtime më të rënda në krah.
Policia e Shtetit u bën thirrje protestuesve dhe përfaqësueve politikë për distancim nga dhuna dhe nga goditjet ndaj punonjësve të rendit.” /Njoftim i Policisë së Shtetit/