Barazimi me Kukësin u konsiderua i pranueshëm pas përfundimit të ndeshjes, por atmosfera te Partizani u prish nga sherri mes pjesëtarëve të stafit teknik. Trajneri Franko Lerda dhe zëvendësi Dritan Mehmeti patën një përplasje verbale, e cila e pati zanafillën nga debati për një zëvendësim gjatë ndeshjes. Sjellja në kompleks e dy trajnerëve është e papranueshme për imazhin e klubit, kështu që si fillim pritet të ketë masa ndëshkimore si për Lerdën dhe Mehmetin.
Gjithsesi, “Panorama Sport” nga burime të ndryshme ka mësuar se të dy trajnerët do të përballen me një gjobë të majme për sjelljen e tyre josportive pas barazimit me Kukësin. Zakonisht klubi për raste të tilla i ka gjobat mbi 2 mijë euro, por më ekzaktësisht të ndëshkuarit e mësojnë kur marrin rrogën mujore.
Përveç ndëshkimit financiar, masat për incidentin në staf mund të përshkallëzohen edhe më shumë dhe ai që rrezikon më shumë është zv.trajneri Dritan Mehmeti, kjo edhe nga kushti që ka paraqitur trajneri italian pas sherrit të brendshëm.
Nisur edhe nga rasti i përplasjes së gushtit me Sakonen dhe Mehmetin, edhe në këtë rast klubi pritet të veprojë në të njëjtën mënyrë, duke votëbesuar Lerdën në krye të ekipit, ndërsa Mehmeti të spostohet në ndonjë pozicion tjetër larg ekipit të parë. Dihet që pas përplasjes së parë në stafin teknik, Korado Sakone vijon të jetë pjesë e klubit, por punon te Partizani B me trajnerin e ri Reinaldo Kalari.