
Dy anëtarë të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar kanë dhënë dorëheqjen. Bëhet fjalë për nënkryetarin e këtij këshilli Gëzim Podgorica dhe anëtarin Genc Përmeti. Lajmi u konfirmua për shqiptarja.com nga vetë Podgorica.
“Po e kam dhënë dorëheqjen une dhe Genc Permeti”, konfirmoi Podgorica në një komunikim në Whatsapp me shqiptarja.com
Dorëheqja e cila është firmosur sot vjen pak ditë pas debatit në lidhje me procedurat që janë ndjekur në përzgjedhjen e kandidaturave për drejtor të Përgjithshëm të RTSH ku me shumicë votash u skualifikuan 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim. Ndërkohë pesë kandidatë të tjerë ishin skualifikuar më parë për mangësi në dosjet e aplikimit,duke lënë në garë vetëm Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon. Gjatë këtij procesi përzgjedhje që duhej të ishte me votë të fshehtë u zbulua se anëtari Mevlan Shanaj kishte votuar nga Vietnami.
Të gjithë anëtarët e këtij këshilli më 3 shkurt 2025 u thirrën në një seancë dëgjimore në komisionin e medias ku iu kërkua të bëhej rivlerësimi i 10 kandidaturave për postin e drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së.
Ndërkohë anëtarët e komisionit paralajmëruan Këshillin drejtues se “do hetohen për konflikt interesi” dhe nëse do të vërtetohej atëherë do të merren masat deri në largim.
Anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH
1-Leka Bungo- Kryetar
2-Gëzim Podgorica- zv.kryetar – Dha dorëheqjen
3-Genc Përmeti- anëtar – Dha dorëheqjen
4-Mevlan Shanaj- anëtar
5-Ilir Keko- anëtar
6-Ardita Reçi- anëtar
7-Milena Selimi- anëtar
8-Engjëll Ndocaj- anëtar
9-Edmond Tullumani- anëtar
10-Dionis Papadhimitri- anëtar
11-Albert Minga- anëtar
Kandidatët në garë për drejtor të RTSH, dhe votimi i 27 janarit 2025
1- Harilla Koçi – U skualifikua për mangësi në dosjet e aplikimit
2- Jetmir Shpuza 7 vota pro, 2 vota kundër;
3- Enrik Mehmeti – U skualifikua për mangësi në dosjet e aplikimit
4- Floriana Paskali – U skualifikua për mangësi në dosjet e aplikimit
5- Eni Vasili 4 vota pro, 5 vota kundër;
6- Ermal Hoxha 3 vota pro, 6 vota kundër
7- Aurora Polo 7 vota pro, 2 vota kundër
8- Kliton Rama – 4 vota pro, 5 vota kundër
9- Flamur Buçрарај – U skualifikua për mangësi në dosjet e aplikimit
10- Laureta Roshi – U skualifikua për mangësi në dosjet e aplikimit