Si asnjëherë më parë, zgjedhjet brenda Komunitetit Mysliman Shqiptar janë përzier keqas me politikën. Madje, jo me atë brenda vendit por me politikën turke. Ishte ish- kryeministri Berisha që pak orë para zgjedhjeve të kreut t ri, zbuloi pikërisht garën në mes Erdoganit dhe Gylenit për të marrë kryesimin e KMSH-së.
Erdhi dorëheqja nga gara e kreut të derisotëm Skender Bruçaj. Vetëm pak para nisjes së votimit, u tërhoq edhe një kandidat tjetër. Në garë mbetën vetëm 3 emra dhe në mes tyre, me 59 nga 91 vota, fitoi nënkryetari në detyrë i KMSH-së, Bujar Spahiu. Menjëherë pas shpalljes zyrtare të fituesit, shpërtheu njëri prej kandidatëve humbës, myftiu i Tiranës Ylli Gurra. Ai foli për “mekanizma okulte” që kanë shtënë në dorë KMSH-në nga 8 mars 2014. “Gylenistët apo kemalistët nuk janë pa ndikime në këtë rrjedhë ngjarjesh dhe të tilla katapultimesh të krerëve të KMSH. Besimtarët duhet ta zgjedhin titullarin pa ndikim, organizative, financiare apo ideologjike”, deklaroi Gurra për mediat duke shtuar se nuk i njeh zgjedhjet në KMSH.
Kuptohet shumë qartë se Gurra, pavarësisht se shprehet se “nuk jam ushtar i askujt”, ishte preferenca erdoganiste, aq më shumë kur nxjerr zbuluar “gylenistët apo kemalistët” që kanë patur ndikim. Nga ana tjetër, tërheqja e Skender Bruçaj merr kuptim pas zgjedhjes së zëvendësit të tij në krye të KMSH-së. Parandalimi i çarjes së mundshme të votave dhe pamundësia për të qenë në krye të KMSH-së edhe për një mandat pasi u etiketua publikisht nga qarqe zyrtare turke si gylenist, sollën daljen e tij nga gara.
Në fakt, gara për kreun e KMSH-së shënoi fundin me zgjedhjen e kryetarit të ri, por mund të jetë edhe fillimi i një situate të paprecedentë brenda këtij organizmi. Nisur kjo, nga deklarata e fortë e Gurrës për mosnjohje të zgjedhjeve. Por nuk përjashtohet që në ditët në vijim të ketë tërheqje, reflektim, edhe për shkak të ruajtjes së imazhit të KMSH-së, si organizmi më i madh e më i rëndësishëm i vetëorganizimit të besimeve fetare zyrtare në vend.
Mbartja e një konflikti politik brenda një shteti të huaj, në çështjet e brendshme të një komuniteti të rëndësishëm fetar në vend, është precedent i rrezikshëm. Aq më tepër, kur njëra palë në Turqi, direkt presidenti Erdogan, e konsoderon Fetullah Gylenin si terrorist dhe kërkon ekstradimin e tij nga SHBA. /Shënim i ShkodraWeb/