Nata e kaluar ka shënua një tjetër rritje të nivelit të ujit në sipërfaqet e përmbytura në Bashkinë e Shkodrës. Mësohet se në të gjitha njësitë administrative të prekura nga ky fenomen, ka rritje mesatare të nivelit të ujit me 15- 20 cm. Problematika e përmbytjeve po rëndohet edhe në lagjet periferike të qytetit, si në hyrje të tij ashtu edhe tek zona e Livadeve.
Pedonalja e Molos tashmë, është në pushtetin e ujit ndërsa uji është i pranishëm edhe tek çadrat e komunitetit rom në afërsi të urës së Bahçallëkut. Uji edhe për disa centimetra, prek shtratin e urës së vjetër të Bunës. E gjithë kjo panoramë, natën e kaluar është shoqëruar me ulje të temperaturave, duke veshtirësuar edhe më shumë jetën e banorëve në zonat e përmbytura.
Sipas specialistëve në KECQ, edhe data 22 mars 2018 parashikohet e vështirë. Bazenet e Drinit dhe Bunës, liqeni i Shkodrës do të vijojnë të kenë rritje në prurje dhe nivel uji. Liqeni i Shkodrës e ka kaluar tashme me rreth 50 cm nivelin kritik prej 9 m. Edhe pika tjetër e monitorueshme në territor, Gramsh i Bregut ë Bunës nga 6.30 m që është kuota kritike aktualisht është rreth 7.30 m.