
Kryeministri Edi Rama inspektoi për rreth 15 minuta në Fushë Krujë zonat e përmbytura dhe mbajti takim me banorët që janë sistemuar në një shkollë në qytet.Kryetari i bashkisë së Fushë Krujës i ka dhënë informacione rreth situatës duke i shpjeguar kryeministrit për numrin e banorëve që janë evakuuar dhe masat që janë marrë.
“Situata më problematike paraqitet në Jug. Nesër është prova e madhe. Ne jemi në gjendje gatishmërie” deklaroi Rama.
Kryeminsitri Rama i shoqëruar nga prefekti i zonës dhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, u takua me disa nga banorët, ndërsa të tjerët kërkoi që të mos i zgjonin nga gjumi. Si gjithmonë nuk munguan edhe batutat nga Rama.
“Mos i zgjo, aq më mirë që janë në gjumë, do ta kalojmë, do ta kalojmë këtë situatë me sukses. Mos i shqetësoni, mos i zgjoni nga gjumi” u shpreh Rama.
Kur Rama zbriti në katin e parë të shkollës, takoi edhe dy djem të rinj.
“Edhe ju këtu? Po iPhone e paskeni shpëtuar nga uji. Do ta kalojmë këtë situatë”. Njëri nga djemtë mbante vath në vesh, dhe në formë batute Rama i tha: “Edhe unë mbaja kur isha i ri, por tani nuk ma lejojnë këta”. /balkanweb.com/