
Kryeministri Edi Rama ka premtuar dje se qeveria do të zhdëmtojë të gjitha familjet e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit. Gjatë mbledhjes së Komitetit të Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile, Rama kërkoi nga ministrat dhe nga organet e tyre që të angazhohen me seriozitetin maksimal për të bërë gati faturën e dëmeve, dhe më pas për të nisur sa më parë procesin e kompensimit e familjeve që janë dëmtuar nga reshjet e dëmtuara të shiut e që sollën përmbytje në disa zona të vendit. Rama ka kërkuar që të bëhet kujdes i veçantë që të mos mbeten jashtë kësaj liste familjet në nevojë.
“Tani duhet të fokusohemi paralelisht tek identifikimi një për një i të gjitha dëmeve dhe inventarizimi një për një i të gjitha pasojave. Duke renditur në radhë të parë banesat, pastaj rrugët, urat, nuk diskutohet për shkollat që janë prekur dhe që duhet ndërhyrë menjëherë për të bërë të mundur që më- simi të nisë sa më parë. Fatura e zhdëmtimeve dhe kompensimeve duhet të përgatitet me transparencën më të madhe dhe me seriozitetin më të plotë në mënyrë që askush nga njerëzit e prekur dhe në radhë të parë nga familjet në nevojë të mos mbetet jashtë listës”, ka deklaruar dje Kryeministri.