
Të gjithë i panë dhe i dëgjuan të dhënat e Korporatës Elektroenergjetike për menaxhimin e kaskadës gjatë këtyre ditëve me reshje tejet intensive. Falë një menaxhimi profesional, u bë e mundur që në vetëm 4 ditë të rritej rezerva energjetike e vendit me 116 GËh dhe të ngrihej niveli i bazenit të HEC Fierzës me rreth 5 metra.
Paralelisht me këtë, përveç energjisë së tërhequr nga OST për shërbimet e balancimit dhe OSHEE për konsumin vendas, KESH mundi të shmangë në maksimum shkarkimet pa të ardhura, duke depozituar në Kosovë 26500 MWh energji dhe shitur në tregun e parregulluar 58000 Mwh, duke i krijuar të ardhura kompanisë publike në vlerën 2.9 milionë euro.
Mos harroni se kjo formë menaxhimi profesional ka 4 vite që ndodh, pa krijuar asnjë fenomen përmbytjesh në Qarqet e Shkodrës dhe Lezhës. Ky është menaxhimi i përgjegjshëm i kaskadës nga ekspertët. Kujtoni pak si e menaxhonin kaskadën ata të Republikës së Re, Saliu dhe Luli, që hapnin e mbyllnin portat e hidrocentraleve me telefon! Ata që dinë se 7 x 7 = 42 apo 36 + 49 = 95, nuk kanë pasur menaxhim tjetër veçse të hapnin portat e të përmbysnin ç’të dilte përpara! Ai që paguan 1 milion dollarë në dëm të imazhit të Shqipërisë, nuk di të bëjë as një punë.
Prandaj Lulzim, eksperti duhet lënë të bëjë punën e ekspertit dhe politikani atë të politikanit. Ti Lulzim, për fat të keq, s’di të bësh asnjërën! Saliu dhe Luli në opozitë janë fat i mirë dhe për Shkodrën e Lezhën, e për gjithë Shqipërinë. /Deklarate e kryetarit te GP te PS Taulant Balla/