Përfaqësuesit e mediave vendosën ngjitës të zi në gojë në formë simbolike, gazetarët protestë poshtë zyrës së Ramës!

Përmes një proteste para godinës sëKryeministrisë, gazetarë të shumtë u solidarizuan dje me kolegun e tyre, Klevis Muka, të cilin Kryeministri Rama e çoi për “riedukim”.

Rama këtë vendim e mori pasi gazetari i bëri një pyetje në konferencë, së cilës Kryeministri nuk iu përgjigj, por tha se “do ta çojë në riedukim për 3 muaj” gazetarin. Sipas tij, pyetja që ai bëri nuk ishte etike. Me parullat “Zoti Kryeministër, çfarë pyetje t’ju bëjmë nesër” dhe “Nuk na përjashtoni dot të gjithëve”, ata shprehën kundërshtinë ndaj censurës qeveritare. I pranishëm në protestë ishte dhe kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa. Ndërsa gazetarët protestonin,Rama ndodhej në Amsterdam në konferencë për mediat me homologun e tij holandez,MarkRutte. Gazetarët i përcollën Ramës mesazhe nga protesta, ndërsa në pankartat e tyre nuk mungonin as ironitë.


“Nuk na përjashton dot të gjithëve”! “ZKM çfarë pyetje t’ju bëjmë Sër”, “O vëlla më li të flas”, “Liria s’është krim, vjedhja po”, “Më mirë riedukim se sa gojën mbyllur”, “Po ministrat e tu kur do përgjigjen?”, ishin disa nga pankartat pikante të gazetarëve protestues. Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, gjatë fjalës së në këtë tubim tha se do të kërkojë një shkresë zyrtare nga Kryeministria për përjashtimin e gazetarit nga konferenca dhe më pas gazetarët do shohin si opsion dhe bojkotin e konferencave. “Unioni i Gazetarëve nesër do të paraqesë një kërkesë zyrtare për të zbardhur fjalën e Kryeministrit në Konferencë. Sepse e shkruara mbetet. Agjencia për Informim pranë Kryeministrit të na japë një letër zyrtare ku përjashton zyrtarisht reporterët nga pjesëmarrja në konferencat”, tha Çipa. Disa prej pjesëmarrësve kishin vendosur ngjitës të zi në gojë në formë simbolike. “Jemi para një incidenti që s’ka ndodhur më parë. Të shohim bojkotin e konferencave”, tha Çipa.

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, kërkoi të bojkotohen konferencat e kryeministrit, teksa u shpreh se Rama “është aty për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të qeverisur, nuk është në dorën e tij të thotë nëse është etike apo jo”.

“Kryeministri thotë që ka liri të medias, ai mendon se debatet janë liri. Liri e medias është ajo pyetje që ai nuk e lejon gazetarin ta bëjë”, tha Cukalli. Sipas tij, “nuk mund të përjashtosh gazetarë, apo të mos akreditosh pasi bën pyetje që nuk të pëlqejnë”. Pjesëmarrësit kërkuan edhe nga pronarët e mediave që t’i lejojnë gazetarët të bojkotojnë konferencat për shtyp që organizohen nga Kryeministri. Në një konferencë për gazetarët nga Kryeministri, gazetari Klevis Muka i drejtoi ministres Xhaçka pyetjen nëse është takuar me burrin e saj biznesmen kur kodi i etikës i miratuar nga Rama e ndalon një gjë të tillë.

“Në 29 prill ka hyrë në fuqi kodi i etikës për ministrat dhe një ndër pikat është që ministrat nuk duhet të takohen me biznesmenë, pasi duhet të jenë në prani të 2 punonjësve të administratës. Ju personalisht e keni zbatuar këtë pikë, a e keni takuar bashkëshortin tuaj në prani të administratës apo e keni shkelur kodin?”, pyeti gazetari.

Ndërkohë, Rama nuk e ka lënë ministren të përgjigjet dhe i është drejtuar gazetarit se nuk ka etikë dhe është i dënuar për 3 muaj.

“Përgjigjen këtu do ta jap unë. Do ta kalosh në riedukim si Ambrozia për 3 muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi”, u shpreh Kryeministri Rama. Por Klevis Muka i përmendi Kryeministrit se: “Kodi etik do ta zbatohet apo sepse e keni thënë vetë se do të ketë sanksione deri në largim nga puna nëse shkelet”.

Nga ana e tij, Edi Rama deklaroi: “Kjo është një tjetër shkelje e kodit etik të gazetarit në një konferencë shtypi dhe vazhdon mban fjalime. Përgjigjet do të jenë korrekte për të gjitha pyetjet korrekte, por për të gjitha pyetjet pa etike ka një proces që quhet riedukim për 3 muaj. Përgjigjen e radhës do ta marrësh pas 3 muajsh në tetor dhe të vish i riedukuar”.