Përcillet në “banesën e fundit” me ceremonial shtetëror, ditë zie kombëtare në respekt të ish- presidentit Nishani

Institucioni i Presidencës hapi për dy ditë rresht dyert e mortit për ish-drejtuesin e saj, Bujar Nishani. Trupi i pajetë i ish-kreut të shtetit mbërriti në Shqipëri herët në mëngjesin e së mërkurës nga Gjermania, ku ndërroi jetë pasi ishte shtruar në spital.

Që prej ditës së djeshme, arkëmorti i ish-kreut të shtetit është vendosur në sallën “Skëndërbeu” në presidencë, ku familjarët pritën mesazhet e ngushëllimit. Ndërkohë, sot Bujar Nishatin do t’i jepet lamtumira e fundit përmes një ceremonie zyrtare. Dje u mblodh Këshilli i Ministrave dhe shpalli ditën e enjte, 2 qershor, ditë zie kombëtare.


Në mbledhjen e djeshme u vendos që sot flamujt në të gjithë institucionet e vendit të ulen në gjysmështizë, në shenjë nderimi për ish-Presidentin. “Këshilli i Ministrave vendosi shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 2.6.2022, në nderim të të ndjerit z. Bujar Nishani, ish-President i Republikës së Shqipërisë, ish-ministër dhe ishdeputet.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e enjte, datë 2.6.2022, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në mjediset e institucionit të Presidencës. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë për vitin 2022”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Ndërkohë, sot do të bllokohet bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga ura e Lanës deri tek institucioni i Presidencës. Nga ora 10 deri në 12 do të priten vizitat për homazhe me ceremoni zyrtare. Ndërkohë, pas orës 12:00, arkëmorti do përcillet në këmbë deri tek ura e Lanës, ku më pas kortezhi do të niset drejt varrezave të Sharrës.