Trajneri Ernest Gjoka foli për mediat përpara ndeshjes së nesërme ndaj Kukësit, duke u treguar i vetëdijshëm për forcën e kundërshtatrit, por sipas tij Vllaznia do të kërkojë fitoren në këtë ndeshje. Gjoka foli edhe për ndryshimet në ekip pas merkatos dhe se si e shikon ai këtë “Vllazni të re”.
Ndryshimet në skuadër?
Tashmë skuadra është bërë më solide. Kemi sjellë në skuadër disa lojtarë me eksperiencë dhe ato probleme që kishim në mbrojtje dhe në sulm i kemi rregulluar. Duhet të shohim përpara. Kemi një ndeshje si ajo me Kukësin që na duhet me patjetër të japim gjithçka dhe të japim maksimumin.
Ndeshja me Kukësin?
Unë Kukësin e njoh mirë, pasi kam bërë një vit të jashtëzakonshëm me ta. E njoh mirë elementin që është brenda, njoh mirë filozofinë e atyre lojtarëve, pasi kemi punuar dhe kemi dalë kampion. Kukësi është një ekip që duhet vlerësuar, që pavarësisht se si e njoh unë, sot janë ndryshe. Tani kanë një trajner tjetër, kanë një mentalitet tjetër.
Objektivi ndaj Kukësit?
Mendoj se ne duhet të vazhdojmë rrugën e fitoreve dhe të shohim përpara. Kjo është ajo që duhet të kërkojmë, pavarësisht se kemi kampionët përballë. Sigurisht në lojë janë të tria rezultatet, ne tashmë nuk duhet të shohim asnjë rezultat në fushën tonë veç fitore. Sigurisht mund të jetë edhe barazimi brenda, por është shumë e rëndësishme që ne të kërkojmë dhe të japim gjithçka për të marrë gjithçka. Kjo është ajo që ne kemi ndërtuar dhe po e flasim edhe me futbollistët.
Merkatoja e Vllaznisë?
Kemi sjellë disa lojtarë me eksperiencë, siç janë Malota, Sukaj e Berisha, apo edhe Mersini. Këto na japin besim dhe garanci që do jetë një ekip krejt ndryshe, një ekip më i fortë, një ekip me një qetësi edhe më shumë, me Orelesin qe e kemi nxjerrë përpara në pozicion më të mirë. Mendoj se kemi bërë një ndryshim në skuadër prej 50%. Sa më shumë cilësi dhe përvojë të kesh, aq më shumë rezultat ke. Kjo është ajo që unë mendoj dhe shpresoj. Kemi bërë afrime, plus lojtarët me cilësi që ka pasur ekipi brenda. Do kemi një ndryshim mentaliteti, aty ku kemi tentuar vazhdimisht, pikërisht për të pasur një mentalitet fituesi.
Tifozët?
Shpresoj të na ndihmojnë, jemi në momentin që kemi nevojë për të gjithë, për ju, tifozët, për një fjalë të mirë, pasi jemi në momente të vështira. Sigurisht që tifozët e Vllaznisë janë të ndjeshëm dhe kanë shumë të drejtë, pasi nuk u kemi dhënë atë që u takon. Por mendojmë që do bëjmë gjithçka. Në këto momente kemi nevojë për ta, janë oksigjen për ne. Uroj të jenë në stadium me ne dhe t’i kënaqim e më pas të vazhdojnë traditën e mbushjes së stadiumet, sepse ai stadium dhe ajo skuadër ka nevojë për tifozët.
Problemet psikologjike?
Këmbëngul se një skuadër që të ecë përpara duhet të ketë mentalitet fituesi. Prandaj kam luftuar fort të sjell eksperiencën në skuadër dhe them që me pak fat arritëm, por edhe me mbështetjen e presidentes Ademi sollëm disa lojtarë me eksperiencë të madhe. Në asnjë skuadër që duhet ecur përpara nuk mund të ecet vetëm me lojtarë të rinj. Ata mund të kenë cilësi, por nuk kanë atë mendësinë e fituesit, nuk kanë garancinë për të ecur larg. Mendoj që tani skuadra ka marrë tjetër ngjyrë, por na duhen fitore për të rritur mentalitetin.
Ku bazohet “Vllaznia e re” e Ernest Gjokës?
Mendoj se do ta ketë në grupin e saj, në personalitetin dhe dinjitetin e saj si skuadër. Nuk ka rëndësi individi, por ka rëndësi që grupi të mendojë pozitivisht, të besojë te fitorja, që grupi të ketë mentalitet fitues dhe ne mendojmë se filozofia dhe strategjia e re e kësaj Vllaznie është ndryshe. E kemi sqaruar edhe me lojtarët në analizë, ku kjo Vllaznia e re bazohet në tre shtylla: disiplina taktike, agresivitet dhe ana psikologjike. Më të gjithë këto po ndërtojmë një skuadër ndryshe, me mentalitet ndryshe. Të gjitha këto shkojnë bashkë me dinjitetin dhe personalitetin e skuadrës. Tashmë ka lojtarë me shumë personalitet brenda skuadrës. /panorama.com.al/