“Për Vllazninë ia vlen çdo sakrificë”, portierja e Vllaznisë në “pritje të ëmbël” vendos rekord origjinal me dy trofe të fituara…

 Me 12 shtator do të festojë 22 vjetorin, sot është padyshim personazhi kryesor i KFF Vllaznia. Ardiola Raxhimi, gardiania e portës së ekipit të vajzave kuqeblu, ka rrëfyer vetëm pak orë më parë një “sekret”. Një “sekret” që e kanë ruajtur me shumë dashamirësi jo vetëm shoqet e ekipit por edhe drejtuesit e KFF Vllaznia, nga presidendti deri tek stafi teknik.


Ardiola është në “pritje të ëmbël” dhe do të sjellë në jete një bebe, të gjinisë mashkullore. Pra një djalë. Atë e pohon vetë për “ShkodraSport”, në një intervistë ekskluzive. Futbollistja e Vllaznisë sipas gjasave, ka shënuar një rekord me pjesëmarrjen aktive në disa ndeshje por ajo që është më e rëndësishmja, duke fituar edhe dy trofe kombëtare. Natën e kaluar, ngriti lart Kupën e Shqipërisë, ndërsa pak ditë më parë, edhe atë të kampionit kombëtar.

Me shumë mundësi, Ardiola ka realizuar një rekord “Guinness”, të cilin vështirë t’ia thyejë dikush tjetër. Por përtej kësaj arritje, Ardiola është një shembull i fortë e i pastër i pasionit për sportin, për futbollin, për ngjyrat kuqeblu. Në intervistën që mund të lexoni më poshtë, ajo e bën të qartë se do të kthehet shumë shpejt në fushën e blertë, pasi të sjellë në jetë beben. Do të jetë një bebe jo e zakonshme. Me ardhjen e tij në jetë, ai do të mbajë tashmë dy trofe, të cilat i ka fituar bashkë me nënën e saj.

 Ardiola, dashje pa dashje u shndërruar në protagoniste ditën e djeshme. Si e pritët një gjë të tillë?

Në fakt isha rehat dhe nuk mendoja se do të kishte një interesim kaq të madh, por ja që ndodhi…

Mbështet ShkodraWeb Media

 A mund të zbulojmë më shumë detaje rreth shtatëzanisë tuaj?

Po, jam 17 javëshe shtatëzënë.

Si e more vendimin për të vazhduar me stervitjen dhe ndeshjet kur mësove se ishe shtatëzënë?

Kur e mora vesh, fola me presidentin dhe e lame qe vetem me ba gjanat që do të thoshte doktori. Për shembull, ai thotë që me ba sport pa kontakt, nuk kishte ndonjë problem dhe unë fillova ashtu per pak kohë. E ndieva veten qe isha mirë dhe bëra stervitje pak më teper dhe per ndeshjet e rendesishme dhe te ndeshjen finale te kupes ishte plotesisht deshira ime që të luaja.

Noshta ne fillim te gjithe kishin frikë, por kishin edhe besimin e plote tek unë. Ashtu u duk edhe ne ndeshjen e djeshme dhe deshi Zoti që çdo gjë të na shkonte mirë dhe ne i morëm ndeshjes ate qe meritonim,

Drejtuesit insistuan te luaje në finale?

Deshira e tyre ishte qe te luaja, por ne sytë e tyre u vinte re pak frika. Për asnje moment nuk jam vën nen presion nga ata qe te luaja ne ndeshje. Ishte krejt zgjedhja ime sepse ky ekip meriton me ba çdo saktifice për të. Dhe ate qe është e pamundur, e meriton me e ba te mundur. Nuk mund të mos isha në një ndeshje të tillë kur përmbushej e gjithë puna e bërë gjatë gjithë vitit dhe e meritonim edhe këtë trofe.

Familja jote, i fejuari apo familja e tij ishin kunder dëshirës tënde që të luaje?

Jo aspak. Në çdo moment me kanë mbeshtet dhe kanë respektuar vendimin tim. Ishte pak e veshtir per to dhe per familjen time, kishin frikë por qe kurrë nuk e kanë shfaqë tek unë der ne momentin pas ndeshjes. Sa herë qe kam kthyer kokën nga shkallët e stadiumit, shikoja vjehrrin tim, më mirë me thanë shoku tim, qe i kishte sytë e mbushun po me lot nga frika dhe gezimi. Normal sepse është nder tifozët më te mirë te mite bashkë me familjen time. Deshti Zoti që në fund të gjithë gëzuam sëbashku.

Shumekush edhe dyshon, madje shtron pyetjen se a eshte normale me luajt ne kete faze te shtatezanise, a eshte e lejueshme? E ke menduar kete gje?

(Hahaha) Ne fillim kisha frikë edhe me hy me e pa nëse eshte e lejueshme apo jo. Kjo sepse mendoja qe nuk eshte e lejueshme, por edhe nese nuk ishte e lejueshme, nuk doja me e ba publike, por do të mbetej vetëm brenda ekipit dhe familjes time. Por kam lexuar qe lejohet me luajt deri ne muajin e 8-të te shtatzanise dhe kam parë disa video qe Alex Morgan është stervitur 7 muajshe me intensitet. Nuk e di nese është e vlefshme kjo gjë edhe per portieret kjo, megjithatë vendosa të luaj dhe ia dola.

Në fund vajzat e ekipit të besuan shiritin e kapitenes në mënyrë që të ishe ajo që do të ngrinte trofeun dhe njëkohësisht ta dedikuan ty atë. Si u ndjeve?

24 orët e fundit te ndeshjes te them te drejten veç emri im është permend ne ekip. Te gjithë thonin të luajmë per Ardiolen, te fitojmë per te, per sakrificen qe është duke bërë ajo. Presidenti Matija sidomos ishte ai qe ne shumë momente me mbushte sytë me lot nga fjalet qe thoshte per të na motivuar dhe me më perkrahë mua në çdo moment.

Por kuptohet qe “qershia mbi tortë” te them te drejten ishte shiriti qe ma dhan mua, qe te isha unë e para që do të ngreja lart kupën. Ne asnje moment nuk e kisha menduar atë gjë por vajzat e vllaznisë janë te paparashikueshme si ne fushë ashtu dhe jashtë saj. Ishte një emocion shumë i madh per mua dhe kisha dasht me i falenderu pa fund nga më i vogli, tek më i madhi sepse kanë bërë çdo gja qe unë të isha më e lumtura aty.

Bebi është vajzë apo djalë?

Ua thashë edhe dje se “ua kemi bërë me hile” vajzave të Apolonisë sepse kemi luajtur 11 vajza e një djalë kundër tyre.


Do të bëhet portier në të ardhmen sepse në fakt, e nisi duke pritur?

Po, edhe portier mirë do të ishte, meqë Vllaznia ka nevojë për portiera.

Ti do t’i rikthehesh sërish futbollit pas lindjes?

Normal që do të rikthehem. Faza e pushimit besoj se do të jetë shumë e shkurtër dhe në fazën e dytë të kampionatit të ardhshëm premtoj që do të jem sërish në portë. /Intervistoi për “ShkodraSport” gazetari Gjergj KOLA/

ShkodraWeb Channel