Për të gjithë ata që shqetësohen nga heshtja e Berishës dhe Metës për marrëveshjen pozitë- opozitë…

Tryeza për reformën zgjedhore në vend nuk ka ardhur si vullnet i opozitës dhe mazhorancës. Nuk është e vështirë të kuptohet se faktorët ndërkombëtarë, sidomos ai amerikan, ka patur ndikimin më të madh deri në urdhërdhënie ndoshta. Palët janë tërhequr nga istikamet por nuk është e vështirë të kuptohet se moralisht “ka lëshuar” më shumë opozita e ligjërisht më shumë mazhoranca. Sepse opozita është pushteti moral dhe mazhoranca pushteti legal në çdo vend.


Ata që nuk e kanë kuptuar se zgjidhja e ngërçit do të vinte vetëm përmes dialogut, bëjnë mirë të ndryshojnë kanal kur flitet për politikë. Ata që i kanë besuar deri në fund metodave radikale në arritjen e qëllimeve, nuk kanë arritur të largojnë nga truri rudimentet komuniste. Ata që nuk e kujtojnë parimin makiavelist mbi të cilin funksionon prej qindra vjetësh politika “qëllimi justifikon mjetin”, duhet të vazhdojnë të jetojnë në realitetin që vetë e kanë ndërtuar e i besojnë.

Që në krye të herës, pavarësisht pozicionimeve radikale e kokëforta në dukje, si Rama ashtu edhe Basha e kanë ditur se rruga e vetme do të jetë dialogu, ulja në tryezë të përbashkët. Shembulli i fundit, ai i 14 shtator 1998, tregoi se shoqëritë demokratike që ne i aspirojmë fort, nuk pranojnë rrugë tjetër veç dialogut edhe kur e konsideron “armik” atë që duhet të kesh përballë.

Edhe ish- presidenti Berisha e ka patur të qartë se nuk ka rrugë tjetër përveçuljes në tryezë me mazhorancën. Pavarësisht se dikush e konsideron radikal, Berisha është ndoshta politikani më i mirë i këtyre 30 viteve, aktor kryesor i marrëveshjeve më të mëdha e të rëndësishme për këtë vend.

Pozicionimi i Presidentit Meta, sidomos nga shkurti i vitit të kaluar, tejkaloi verbalisht edhe radikalizimin e opozitës. Por nuk duhet harruar se nisma e tij që “sovrani të flasë” përmes referendumit, nuk po ndjehet më. Tha se e shtyu për shkak të termetit, por po mbushen dy muaj dhe kreu i shtetit është në heshtje. Sepse edhe Meta e di se vetëm marrëveshjet në tavolinë janë të pranueshme dhe sjellin rezultate, qoftë edhe të përkohëshme.

Berisha dhe Meta kanë patur informacione për atë që po ndodhte në pjesën e padukshme të politikës. Berisha direkt nga Basha e Meta direkt nga Kryemadhi. A kanë qenë dakort me finishin në një tavolinë dialogu? Akoma nuk janë shprehur publikisht, por besoj se po. Sepse janë politikanë profesionistë ose siç quhen “politikanë race”. 30 vjet eksperiencë në nivelet më të larta të politikëbërjes, janë treguesi më i mirë.

Në atë që artikuloi edhe sot Basha, ka një të vërtetë të madhe. Beteja opozitë- mazhorancë sapo ka nisur. Do të jetë një betejë më e vështirë, ballë për ballë dhe vetëm pak metra larg njëri- tjetrit. Mjeti i vetëm në dispozicion do të jetë fjala, argumenti dhe duke patur mbi kokë arbitrat ndërkombëtarë. Për të njohur fituesin, duhet pritur, edhe pse skepticizmi është i plotë në drejtim të opozitës, sidomos pas marrëveshjes së 17- 18 majit që vetë Basha e ka quajtur të gabuar. E nëse rezulton edhe kjo e gabuar, dëmin më të madh e pëson vetë Basha e pas tij edhe mijëra mbështetës e antarë të opozitës. Ajo që vihet re lehtësisht këto ditë është se, ata që kërkonin me ngulm që opozita të ulej në tryezë me mazhorancën, ata e sulmojnë Bashën.

Ulja në tavolinë dialogu, kërkon kohën e vet. Palët kërkojnë maksimumin reciprok, për të gjetur një kompromis fillestar. Në këtë rast e të tjerët përpara, me “bekimin” e ndërkombëtarëve. E për ta mbyllur me një përgjigje të shkurtër për pyetjen që nis këto rreshta. Në italisht ka një shprehje “chi tace acconsente”, në shqip “kush hesht, miraton”. Edhe në jurisprudencë ka një parim “miratim me heshtje”. /ShkodraWeb Media/

Për të afishuar reklamën apo njoftimin tuaj në ShkodraWeb Media mund të kontaktoni duke klikuar ShkodraWeb Media dhe menjëherë do të kontaktoheni nga stafi. ShkodraWeb Media ju mirëpret!