Të paktën deri në këto momente, as edhe një rresht të vetëm, një foto, qoftë edhe për hipokrizi, demagogji. Asnjë! E para një viti, i kushtuan 356 ditë të tëra aktivitete, emrin e simbolikën e tij e ngjitën edhe në dokumentet zyrtare të shtetit shqiptar, u shpërnda edhe një apo disa medalje në përkujtim të “Vitit të Gjergj Kastriot- Skenderbeut”.
Edhe sot, si çdo vit, Heroi Kombëtar i shqiptarëve, i pakontestuar as edhe nga diktatura e egër komuniste, ka ditën e largimit nga kjo botë. Zyrtarisht, Gjergj Kastrioti që edhe sot gati 600 vjet pas kalimit në amëshim na bën të ndjehemi krenarë në Europë e botë, me 17 janar 1468, dha frymën e fundit.
Shteti dhe strukturat e tij, ka kohë qe kanë harruar. Jo vetëm Gjergjin por edhe Terezën e shumë të tjerë si ata. As ERTV-ja nuk gjeti kohë, mundësi e hapësirë të shpërndajë një video, një përkujtim, një foto. As në faqet zyrtare në rrjetet sociale të Metës, Berishës, Bashës e Kryemadhit, nuk gjen asnjë shënim. Të gjithë janë të përqendruar të drejtime të tjera, sipas tyre më të rëndësishme. Madje, presidenti i vendit publikon dekorimin e rradhës për 75 vjetorin e çlirimit të vendit në L2B.
Pse ndodh kjo? Pse përsëritet me kohezion të plotë nga viti në vit? Pse politika e shteti shqiptar i druhet figurës së Gjergj Kastriotit- Skenderbeut? Përgjigjet janë të shumta dhe çdokush mund ta japë nga një. Por të gjithë duhet ta kuptojnë një herë e mirë se, pavarësisht epiteteve qesharake që u ngjisin, asnjëri, as edhe më i miri dje, sot apo edhe nesër, nuk do ti afrohet Kastriotit as tek niveli i pjesës së pasme të bishtit të kalit. /Nga Blerti DELIJA/