Nuk kanë kaluar 6 muaj dhe skema përsëritet saktësisht: një vajzë refuzon lidhjen apo dashurinë e një djali dhe ky i fundit vret atë dhe më pas veten! “Krim pasioni” është përcaktimi më i rëndomtë që shoqëron apo identifikon ngjarje të tilla tragjike që fatkeqësisht po bëhen përherë e më të shpeshta.
Më shumë se “krim pasioni” është një krim frustrimi apo i krenarisë së sëmurë. Prej kohësh e diskutojmë tashmë se jemi një popull i persekutuar seksualisht më shumë se politikisht përgjatë viteve të diktaturës. E kemi të vështirë të gjejmë dikë për ti besuar frikën e frustracionit tonë seksual. Madje, druhemi se mos na e mëson kush këtë të fshehtë të shpirtit tonë. Por sidomos, rrjetet sociale që po i përdorim si valvula për të shfryrë në mënyrë platonike dashurinë por edhe frustracionin e brëndshëm.
Kemi qënë të martuar, fejuar apo thjeshtë të dashuruar. Kemi shkatërruar një lidhje apo edhe familje. Tentojmë të tregojmë “supremacinë” me çdo kusht. Duhet ti tregojmë “ish-it” tonë se ja, e gjeta dhe madje më të mirë e të bukur se ti. E nxjerrim edhe në “vitrinën” sociale, në mos me emër e foto, me statuse trashaluqe- dashurore. E kur vjen fundi, apo kur edhe kjo e tanishmja na njeh dhe merr vendimin si paraardhësja, frustracionit i shtohet edhe krenaria e sëmurë. Një burrë shqiptar të durojë braktisjen e nga një grua, pasi e ka patur të dashur…?!
Atëherë zgjidhja…blej një pistoletë me para borxh apo me lekët e fundit duke lënë pa bukë mbase edhe familjen apo fëmijët. Ndiqe disa ditë “ish-in” tënd, përpiqu ta bindësh se je më i mirë se gjatë 1 apo më shumë vitesh bashkëjetesë e lidhje. Bëj deklarata idiote dashurie pa sens përballë një njeriu që të hesh thjeshtë si një ndër 7 miliardë njerëzit që Zoti i ka vënë në të njëjtin planet me ty. Kur nuk ndalohet, kape për krahu, bërtiti, kërcitja edhe ndonjë shputë sepse…ashtu është e sigurtët se do ta bindësh o idiot!
Në fund, kur të gjitha të kanë shkuar dëm, kujtohu se burro 24- karatësh. Kujtohu se i gjithë populli i Facebook-ut do ta marrë vesh se të braktisi e dashuara apo gruaja. Kujtohu se do të duhet të fshish të gjitha postimet, fotot e mundshme, dedikimet për të… Mbi të gjitha sill ndërmend se ti je shqiptar o idiot! Si mund të lejosh të të lërë një grua pasi nuk të dashuron më?! Po kushërinjtë, të afërmit, të njohurit si do të reagojnë? Si do tu thuash nëse të pyesin si i ke punët me atë gocën?…
E kështru, ngrihesh në nivelin më të lartë të budallallëkut njerëzor… Sepse, nëse nuk ke mëtiv të jetosh më në këtë botë, hiqja vetes o idiot! Vendose pistoletën brenda gojës dhe shkrepe, kështu të paktën mund ti dhimsesh dikujt! Ngjitu në katin e 15-të të një pallati, recito për dashurinë si “kënge e sprasme” dhe provo nëse ia arrin të fluturosh! Hy në një farmaci, kërko dhe blej fostoksinë, por shikoji mirë datën e skadencës që të mos shpëtosh pa dashje! Përpiqu të presësh autostradën Tiranë- Durrës me sytë e mbyllur dhe lutu që Zoti të mos e ketë mendjen tek ti! Ka njëmijë e një mënyra, mjafton të kesh vullnet o idiot për të mbyllur jetën para kohe…
Po ç’ taksirat ka një vajzë që nuk ndjen asgjë më për ty, qofte e dashur, e fejuar, grua apo “ish” e të gjitha niveleve? Ajo është në punën e vet, në jetën e saj ku ti nuk bën pjesë as si mushkonjë në një natë të nxehtë gushti. Po çfarë “pasioni” mund ta drejtojë dorën tënde në fund të të cilës mund të jetë një pistoletë, një thikë apo edhe një gur i thjeshtë? Si mund të marrësh guximin të vësh në jetë “Romeo & Zhuljetë” por idiot që nuk di të shkruash as emrin tënd në Facebook? More idiot funksional, kujton ti se do të ikësh në parajsën qiellore bashkë me vajzën që të refuzoi në jetën tokësore? Nëse ka jetë andej, ti je i destinuar të digjesh në flakët e ferrit dhe as ulërimat nuk mund ti dëgjojë “ish-i” yt!
Ky shkrim në fakt është për shumë idiotë. Ata që kanë kryer punë fatkeqësisht duke marrë jetë të pafajshme, por edhe të tjerë që mbase “frymëzohen” nga idiotë të tillë. Kthjellohuni, kjo ësshtë botë e individit. As edhe dy persona shumë të afërt, nuk mund ti imponohen njëri- tjetrit. As nëna me djalin, motra me vëllanë, babai me vajzën! Sigurisht do të kujtohesh…por gjithmonë si idiot! Por edhe si vrasës, jo për motive “pasioni” por idiotizmi!
Apo ndoshta unë nuk arrij t’ju kuptoj ju…?! /Nga Blerti DELIJA për ©ShkodraWeb/