Ish- kryeministri Pandeli Majko, sot ministër “pa portofol” i diasporës, u ka thënë shqiptarëve një të vertetë, të cilën janë të paktë ata që nuk e dinë: Zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë gjithmonë “me hije në biografi”. Si ish- kryetar qeverie dhe në politikën e lartë prej 30 vitesh, ose siç thuhet në Shkodër, nuk i ka thënë askush “puna e mbarë”, Majko ka shumë informacion edhe për proceset zgjedhore. Sidomos për ato nga 1996 e këtej.
Pavarësisht eksperinecës së gjatë politike e jo vetëm, Majko duket se nuk bën një dallim të thjeshtë. Vertetë që zgjedhjet mund të jenë “prekur”, manipuluar e vjedhur me mjete e metoda të ndryshme. Vertetë se fshatra si Dushku apo Ruzhdija u bënë të njohura ndërkombëtarisht falë “rendimentit” të lartë në prodhimin e mandateve parlamentare. Por në çdo rast, kemi qenë në terrenin e asaj që quhet dyshim apo edhe provë joligjore përballë sistemit të drejtësisë.
Qindra kandidatë e po kaq gazetarë mund të kenë denoncuar në mbarë vendin raste të manipulimit e shit- blerjes së votës. Denoncime me zë e me figurë por që mbase me të drejtë, nuk janë marrë parasysh.
Në rastin e fundit, të bërë publik nga “VoA” apo “Bild”, situata është krejtësisht ndryshe. Nuk jemi më në terrenin e “dyshimit” por të provës ligjore me kërkesë prokurorie dhe vendim gjykate. Të paktën në dy raste: Zgjedhje të pjesshme vendore në Dibër dhe politike në Durrës, në 2016-ën dhe në 2017-ën. Madje, jemi në atë pikë kur hetimi rrezikon të hidhet në erë për procedurë pasi po kalon afati maksimal 2- vjeçar i hetimit siç parashikon ligji.
Dhe e fundit. Edhe në terrenin e “dyshimeve”, asnjëherë nuk është arritur tek kryeministri, ministra e deputetë të mazhorancës në pushtet. Aq më tepër, kur të gjithë e pranojnë se kanë rënë në rrjetën e audio- pergjimeve, por “u vjen keq” që po përdoren politikisht zërat e tyre…
Tymnaja apo minimizimi i fenomenit me një precedent aspak të ngjashëm, është metoda e preferuar e politikëbërjes këto 30 vite. Por Majkos nuk i shkon! Atij Majko që shqiptarët e vlerësuan aq fort sidomos gjatë “luftës së Kosovës”. Jo për Majkon, ashtu siç e konsideron Edi Rama! /Shënim i ShkodraWeb/