Shqipëria do të ketë një Kod të ri zgjedhor. Të ri apo të përmirësuar, pak rëndësi ka. Por do t’a ketë! Sespe kështu ndodh rregullisht pas zgjedhjeve dhe para zgjedhjeve të rradhës. Që nga 1992-i e këtej të paktën. Madje, hartimi i Kodit zgjedhor konsiderohet alfa e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Faktikisht, nuk i’a kemi dalë kurrë. Gjithmonë pas zgjedhjeve humbësi i ka kontestuar dhe sërish…është kapur në dorë Kodi zgjedhor. Në fakt, në të gjitha rastet ndryshimet apo bërja nga e para, janë realizuar me konsensus politik. Të paktën nga “të mëdhenjtë” e politikës.
Dilema më e madhe këtë herë do të jetë përsëri e zakonshmja: Garantimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të gjithëpranuara nga palët. Ky rebus nuk është zgjidhur asnjëherë dhe vështirë të zgjidhet. Sepse para tij, duhet rënë dakort për një tjetër dilemë të kahershme: Trupë zgjedhore politike- partiake apo jashtë saj?! Teorikisht, shumë më mirë do të ishte një trupë zgjedhore larg politikës, mbase nën shembullin e përzgjdhjes së organeve të vetting-ut…por edhe në këtë rast, nuk kanë munguar pakënaqësitë nga ana e vetë politikës. Ideja në disa raste është guxuar të mvishet edhe me kategori që mund të marrin përsipër administrimin e zgjedhjeve, duke nisur nga gjyqtarët, mësuesit, administrata publike me status nëpunësi civil etj. Por në asnjë rast, nuk është ecur përtej.
Pavarësisht kënaqësisë apo rezervave për një Kod të mundhsëm që mund të miratohet, mendoj se këtë herë reforma e pritshme zgjedhore mund të japë zgjidhje për një aspekt jo pak të rëndësishëm: “Cic- mic- et” e deputetëve!
Edhe në këto orë që po flasim, siç ka ndodhur përgjatë 28 viteve të fundit, deputetë të zgjedhur me votat politike të një subjekti të caktuar, shpallen të pavarur nga subjekti politik apo më keq- kalojnë “ylberin” nga njëri krah në tjetrin. Në fakt, është Kushtetuta që ua jep këtë të drejtë ligjore, e cila nuk është aspak morale.
Ka ngjarë në Shqipëri që një subjekt politik ka marrë vota në emër të opozitës dhe pas zgjedhjeve, ka përfunduar në bashkëqeverisje me “armikun”. Por gjithmonë, të paktën në fasadë, ka qenë një vendim politik i strukturave të partisë. Ndoshta rasti më domethënës, ai i LSI-së në vitin 2009: Pas një fushate të egër kundër PD-së e Berishës, 4 votat “e arta” të LSI-së e Metës ndërtuan një qeveri që i dha mandatin e dytë qeverisës rradhazi demokratëve. Por nuk është ky rasti.
Flasim për deputetë, të cilët tradhëtojnë subjektin, me votat politike të të cilit u zgjodhën deputetë. Për interesa të ngushta apo qoftë edhe të gjëra, jo pak deputetë kanë kaluar nga opozita në pushtet ose anasjelltas. Në rastin më të mirë është tallje me subjektin që kanë përfaqësuar në fushatë por edhe me zgjedhësit që votuan këtë parti politike. Sepse sot, duam nuk duam ne, shqiptarët votojnë siglën partiake në fletën e votimit.
Çfarë mund të bëhet konkretisht?
Ka dy rrugë. Mund të ndryshohet sistemi duke u kthyer në mazhoritar (kandidatët përballen “kokë më kokë” në qarqet e tyre) dhe atëherë ai është i lirë të pozicionohet ku të ketë dëshirë në Kuvend. Natyrisht, do të ishte i nevojshëm korrektimi në proporcional, që edhe partia përkatëse të marrë “hakun” e vet nga zgjedhësit.
Rruga e dytë, është mbajtja e këtij sistemi që kemi, ku kryetarët e partive përzgjedhin vetë ekipet që do të çojnë në Kuvend. Me lista të hapura apo të mbyllura, pak rëndësi ka. Por në këtë rast, mendojmë se duhet amenduar edhe Kushtetuta, ku të përcaktohet se deputeti që largohet/përjashtohet nga partia që e propozoi si deputet, të lërë mandatin në favor të personit vijues në listën e subjektit politik përkatës. E di se mund të futet në lojë e drejta e individit, e ndryshimit të bindjes etj., por në sensin moral do të ishte e mirëpritur po të kthehej në ligj. Jo vetëm për partitë politike, por edhe zgjedhësit. Në jo pak raste ata që kanë votuar një subjekt të caktuar politik, i janë larguar duke i dhuruar votat një tjetër subjekti, madje me “kapërcim ylberi”.
Me sa informacion kam, mbase një ndërmarrje e tillë ligjore përben risi në shkallë europiane apo botërore, por duhet të kihet parasysh se po flasim për realitetin shqiptar, ndikimit të të cilit nuk mund t’i shpëtojnë as partitë politike e deputetët. Nëse ky Kod e lidh me “besnikërinë” ndaj kryetarit e partisë respektive ndërtimin e listës së deputetëve, ti qëndrojmë deri në fund këtij parimi. Si shqiptarë që jemi! /Nga Blerti DELIJA/