Gati- gati besoj se, pavarësisht se shkruaj unë dhe qindra të tjerë brenda e jashtë Shqipërisë, gjërat shkojnë ashtu siç i ka planifikuar dikush që ka në dorë fatet tona. Megjithatë, unë të paktën do të shkruaj, për “të pastruar shpirtin” për aq përgjegjësi modeste si pjesë e një komuniteti që nga Jugu në Veri, vuan të njëjtat fenomene shkatërrimtare.
6 persona kanë humbur jetën në Superfosfatin e Laçit, “vepër e ndritur e Partisë” që pasi helmoi banorët, me mallkimin që e ndjek po i vret. Për 5 vite, kjo shifër dikujt mund t’i ngjajë e papërfillshme, e parëndësishme. Por unë mendoj për ato 6 familje, që kanë humbur po kaq pjestarë. Dhe për çfarë, për luftën e përditshme për të siguruar mbijetesën apo siç i themi rëndom ne shqiptarët, bukën e gojës.
E të flasësh për bukën e gojës, e para gjë që të vjen në mend është Ndihma Ekonomike. Paraprakisht, jam i sigurtë se do të paragjykohem politikisht, por nuk mund të rri pa e rikujtuar. Nga janari e këtej, në Shkodër e në Shqipëri, marrja e “lëmoshës së shtetit” është kthyer në një kalvar të vertetë. Kjo, në emër të një sistemi që duhet te dekurajojë dembelizimin. Kështu na është thënë zyrtarisht të paktën. Thuajse 50% e familjeve tanimë aplikojnë kot, sepse përjashtohen nga disa kritere, që askush deri më sot nuk i ka bërë publike. Qytetarët thonë se janë përjashtuar sepse kanë televizor apo frigorifer në pronësi…
A mund të quhen dembelë 22 dhe 27- vjeçari që humbi jetën në Supërfosfatin e Laçit duke nxjerrë skrap? A ka punë më të vështirë se të thyesh soletën mbi kokë, për të nxjerrë që aty pak kilogramë hekur që, duke i shitur, të fitosh bukën për 1 apo 2 ditë për vete dhe familjen?! Në të tilla rrethana humbën jetën dy të rinj, duke lënë në luftë për mbijetesën familjet dhe të dënuar të mbajnë përjetësisht mbi supe peshën e humbjes së dy jetëe në lule të rinisë.
Në fakt, Superfosfati i Laçit nuk është i vetmi anëkend Shqipërisë që ka shkaktuar dhe fatkeqësisht, do të shkaktojë viktima. Një ri vdiq në landfillin e Tiranës, të tjerë minorenë u gjymtuan e vdiqën duke mbledhur mineral në sipërfaqe për të ndihmuar familjet e tyre të shyjnë përpara mbijetesën. Varfëria po godet dhe ashpër madje, ata që nuk kanë asnjë mundësi ti kundërvihen. Mbase nuk kanë shkollimin e duhur, sepse dy të rinjëve nga Laçi nuk besoj se u ka munguar dëshira për punë, derisa ndërprenë jetën e tyre duke mbledhur skrap. Këtyre si i bëhet? Ata që ndoshta nuk kanë patur mundësi, aftësi apo edhe para për të marrë një apo më shumë diploma për të qenë të përzgjedhshëm nga Zyrat e Punës? Këta duhet të vdesin, duke kërkuar bukën e gojës “në të zezë” sepse nuk plotësojnë ca kritere… Edhe ato pak para që i merrni nga shteti për të tentuar mbajtjen gjallë të frymës, tani nuk i marrin.
Tani të flasin për pjesën ligjore. Superfosfati i Laçit, siç edhe të gjitha uzinat e fabrikat e ndërtuara në komunizëm, u bënë pronë e shtetit. Mbase dsa prej tyre u privatizuan, i kaluan pronarëe të truallit, por të tjerat ruhen me fanatizëm në dosjet e Ministrisë së Ekonomisë. Por ruhen vetëm “me letra”, sepse mund të hyjë e të dalë kush të dojë sipas qejfit. Në rastin tragjik të Laçit, nëse Supërfosfati është akoma pronë e Ministrisë së Ekononisë, dikush duhet të hyjë në burg për vdekjen e dy të rinjve në territorin e ish- uzinës. Jo se do të ndryshojë gjë, as do të kthehen në jetë dy të rinjtë. Por për tu bërë shembull. Edhe si tregues se jeta e qytetarëve ka një farë vlerë për këtë palo- shtet.
Sado të shkruhet dhe të përpiqemi të sensibilizojmë unë e qindra të tjerë, dy jetët e humbura në Supërfosfatin e Laçit, nuk kthehen më. Por shkruaj për “të pastruar ndërgjegjen”, për aq përgjegjësi që unë mund të kem në këtë tragjedi shqiptare të rradhës. /Nga Blerti DELIJA/