
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja bëri me dije se Njësia Antikorrupsion në dikasterin që ai drejton, i ka kërkuar SPAK-ut që të marrë si të pandehur gjykatësen Klorinda Çela, gjyqtare në Gjykatën Civile të Tiranës, për shkak të veprimeve të saj kundër interesit publik.
“Njësia Antikorrupsion e Ministrit të Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit, i kërkojnë SPAK-ut marrjen si të pandehur të gjykatëses K.Ç, e cila ka dhënë një nga vendimet më flagrante haptazi të paligjshme në kundërshtim skandaloz me interesin publik, pak ditë përpara se sa Vetingu ta largonte nga sistemi i drejtësisë”, tha Manja.
Manja theksoi se gjyqtarja në fjalë, pak ditë përpara se të shkarkohej nga sistemi i drejtësisë përmes vetingut, ka marrë vendime flagrante në lidhje me një pronë ku do të ndërtohej një teatër kukullash për fëmijët e kryeqytetit.
“Jam me avokatin e shtetit, për të informuar publikun me një rast skandaloz të abuzimit me detyrën e gjykatësit, gjykatësja K.Ç, në gjykatën civile të Tiranës ka lënë të shkruar në formën e një thirrje nga drejtësia vendimin për të marrë peng fëmijët e kryeqytetit dhe me fëmijët e tyre, që qeveria i ka premtuar një qendre të re, me teatër kukullash, në hyrje të Liqenit të Tiranës, te Garda e Republikës, spostimi i gardës dhe hapja për fëmijët dhe bibliotekës, bëhet fjalë për një truall të shtetit, janë përgatitur projekt idetë për fillimin e saj, mirëpo gjykatësja K.Ç ka pasur një mendim tjetër, kur aspo ministria bëhet gati të nis punën, prona e shtetit na del me barrë”, shtoi Manja.




