Rreth 350 delegatë të Kuvendit të PD Shkodër janë të ftuar të zgjedhin sot liderin e tyre lokal për një mandat 4 vjeçar. Kryesia e PD-së në Tiranë ka vënë përballë kryetarin aktual Ramiz Çobaj me Xhevdet Amulin, një figurë e njohur e demokratëve shkodranë dhe me kontribute edhe në pushtetin vendor. Rreth orës 19.00 të ditës së shtunë, janë mësuar zyrtarisht kandidaturat, teksa ka patur shumë pak kohë në dispozicion që ata të bëjnë fushatë për të bindur delegatët ti votojnë. Kjo, sepse sot, në orën 10.30 është parashikuar të zhvillohet mbledhja e Kuvendit, nga ku demokratët shkodranë do të mësojnë se kush do ti prijë për 4 vjet.
Ndërkohë, mësohet se gjatë këtyre pak orëve në dispozicion, kandidatët janë përpjekur të kontaktojnë me sa më shumë delegatë për ti bindur që ti mbështesin. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe gjatë Kuvendit, një lobim i natyrshëm në një garë brenda PD-së, e cila nuk duket lehtë e parashikueshme edhe pse Çobaj duket më i avantazhuar nisurr nga pozicioni dhe koha e shkurtër në dispozicion për sfidantin Amuli nga dalja e emrit, deri tek votimi nga delegatët.
Fushata brenda PD-së Shkodër nuk ka kaluar pa probleme, disa prej të cilave janë shpërfaqur edhe në media. Megjithatë, sot pritet që zgjedhje e kreut të ri lokal të shuajë çdo gjë, duke iu rikthyer unitetit politik, rreth një kryetari për të cilin ka dy alternativa: të zgjidhet i ri ose të vazhdohet me atë që është në detyrë. Këtë e vendosin vetëm delegatët e Kuvendit të PD Shkodër. Fitoftë më i miri!