PD me “dorë të hekurt” në Malësi të Madhe, përjashton nga gara për kryetar tre kandidatët, procesi nis nga e para

Partia Demokratike e Shqipërisë ka përcaktuar procedurën e zgjedhjeve në degën e Malësisë së Madhe, të cilat nuk u zhvilluan për shkak të problemeve të krijuara me 25 prill, kur ato u zhvilluan.

Në një njoftim të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) të kryesuar nga Albana Vokshi, njoftohet rifillimi i procesit nga e para, duke lënë si afat 30 qershorin 2022.


KOKOE ka njoftuar se nuk do të jenë pjesë e këtij procesi tre kandidatët e mëparshëm dhe pikërisht Ferdi Sterkaj, Mimoza Rexhvelaj dhe Isa Ramaj. Sipas shkresës, ata konsiderohen shkaktarë të dështimit dhe dëmtimit të zgjedhjeve të 25 prill në Malësi të Madhe.

Po ashtu, pas përfundimit të këtij procesi me 30 qershor, KOKOE ka bërë me dije se do të nxjerrë me urdhër datën kur do të mbahen zgjedhjet për kryetar të PD- së Malësi e Madhe.

Me përmbylljen e plotë të këtij procesi në Malësi të Madhe, do të marrë fund edhe riorganizimi i PD- së së drejtuar nga Sali Berisha në të gjitha degët e saj vendore.