Patozi njofton sfiden per Bashen: Shume shpejt prezantohet projekti i ri politik brenda PD

Një nga zërat më me peshë në Partinë Demokratike, Astrit Patozi, njofton në emisionin “Të Paekspozuarit” se shumë shpejt do të prezantohet një projekt i ri politik brenda kësaj force politike. “Rruga institucionale është rruga e zgjidhjes. Shumë njerëz, duhet të kenë një projekt politik dhe ta paraqesin në forumet zyrtare të PD-së por edhe publikut dhe t’i themi kështu nuk vazhdohet dhe të marrim zgjidhje”, tha Patozi. Ish-deputeti i PD foli edhe për situatën aktuale të Partisë Demokratike, që sipas tij nuk ka potencial për ti bërë ballë pushtetit.
“Vazhdoj të jem te Partia Demokratike. PD, sot është në një krizë përfaqësimi morale, krizë numrash, por mbi të gjitha krizë idesh. PD, ka detyrimin që t’i prijë frontit opozitar në Shqipëri, por për shkak që ka këtë problematikë nuk është e zonja ta bëjë. Pra, kur nuk ke rregulluar shtëpinë s’mund të rregullosh qytetin. Ne nuk duhet të shqetësohemi për numrat, por për potencialin opozitar. Unë mendoj se ka potencial të mjaftueshëm për t’i bërë ballë kësaj qeverive, e cila po jep shenja që do jetë arrogante”, vijoi më tej.
Por si e shikon PD, Astrit Patozi?
“PD sot është krizë përfaqësimi dhe legjitimiteti. PD duhet të kthejë votën e lirë brenda saj, pastaj të kërkoj votën e lirë. Nëse nuk kthen këtë, nuk ka forcë dhe moral të mund kundërshtarin që do ketë përpara. Nuk kam asgjë personale me Bashën, ai s’ka asnjë detyrim ndaj meje për të qenë apo jo unë në listën e tij dhe nuk kam pse te flas me Bashën, ai ka detyrim të madh ndaj demokratëve”, tha Patozi. /tpz/