Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi zyrtarisht këtë te enjte hetimin pasuror për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili dyshohet për përfshirje në grupin kriminal “Habilaj”. Burime pranë organit të akuzës thanë se me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së pasurisë së personit nën hetim dhe personave të lidhur me të, iu janë dërguar shkresa bankave të nivelit të dytë, Tatimeve, Doganave dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Burimet konfirmuan nisjen e hetimit pasuror edhe për biznesmenin O. S., i cili u arrestua pak ditë më parë në Elbasan pasi në makinën luksoze me të cilën udhëtonte iu gjetën 863 mijë euro, dy patenta për mjete lundruese të ish ministrit të Brendshëm dhe një e bashkëshortes së këtij të fundit.
Dosja ndaj Sotës fillimisht po hetohej nga Prokuroria e Elbasanit, por tashmë është kaluar për kompetencë të Krimeve të Renda.
Kjo pasi mbi të rëndojnë dyshimet për pastrim parash, ndërsa po verifikohen dhe lidhjet e tij të mundshme me ish-ministrin e Brendshëm.
Prokurorët pritet të marrin dëshminë e shoferit të Tahirit, me të cilin 25-vjecari ka deklaruar se ka miqësi dhe mund të jetë ai personi që ka harruar dokumentet në automjet.
Hetuesit kryen verifikimet ne sistemin TIMS për hyrje daljet e Sotës dhe ish-ministrit të Brendshëm, për të cilën kreu I PD-së Lulzim Basha deklaroi se kanë udhëtuar së bashku jashtë vendit. Por prokurorët jane tejet të rezervuar për të dhënë detaje, megjithëse konfirmohet fakti se të dy kanë kaluar nga e njëjta pike kufitare, në të njëjtën ditë, me diference të shkurtër kohore, por jo me të njëjtin automjet.
Ngjarjet e fundit të ndodhura në Elbasan, dërguan në prokurori drejtorin e policisë së qarkut Altin Qato, i cili për më shumë se një orë e 30 minuta analizoi çështjet me prokurorët e Krimeve të Rënda. Krahas dosjes Sota, burime të rezervuara thanë se mes Qatos dhe grupit të prokurorëve është diskutuar edhe një tjetër çështje e rëndësishme, për të cilën nuk dhanë detaje. /balkanweb/