
Prindërit e Armela Hasajt, e cila u bë “mollë sherri” për vrasjen e Ramazan Matajt nga vëllezërit e saj, Arjon dhe Klisman Hasaj, në fshatin Dragoç të Shkodrës mbërmjen e 4 Janarit, kanë rrëfyer se kanë katër vite që nuk flasin me të bijën pasi zbuluan foto intime të saj me viktimën.
Në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur” të moderatores Evis Ahmeti, nëna e saj u shpreh se “zemra ime si nënë prej 4 vitesh ka vuajtur”, ndërsa kur u pyet në lidhje me materialet filmike që pa të Armelës dhe Ramazan Matajt, u shpreh se: “Pasha Zotin, më mirë të na kishte vdekur”.
Rustem Hasaj, babai i Armelës, e cila është nënë e një vajze 5-vjeçare, shtoi se e bija është martuar dy herë me mblesëri, ndërsa i pyetur nëse do ta falin të bijën i përgjigj se “do ia lëmë kohës”.
Ai theksoi se vetëm e shoqja ka arritur të takojë dy djemtë e tyre të arrestuar në burg, por shtoi se nuk i kanë thënë asgjë në lidhje me vrasjen.