Pas takimit në Vlorë mësohet agjenda e takimeve të rradhës, ja kur do të jetë në Shkodër me “Foltoren” e tij Berisha…

Ditën e sotme turi i ish- kryeministrit Sali Berisha me demokratët është spostuar në Vlorë. Qindra antarë, mbështetës e simpatizantë të PD- së kanë mbushur sallën e Pallatit të Kulturës në Vlorë, teksa kanë qenë të pranishëm në takim edhe ish- presidenti Nishani, deputeti aktual i PD- së Bujar Leskaj, drejtues vendorë të strukturave demokrate si dhe Evi Kokalari, pjesë e strukturave të Partisë Republikane në SHBA.

Pas përfundimit të takimit, është mësuar edhe agjenda e takimeve të radhës së ish- kryetarit të PD- së. Burime pranë stafit të Berishës, bëjnë me dije se do të vijohet me dy takime në javë. Këeshtu, të mërkurën është paralajmëruar një “Foltore” në Durrës dhe të shtunën e ardhshme, pas një jave, Berisha do të jetë në Shkodër, e cila konsiderohet si bastion i PD- së prej mëse 30 vitesh.

Modalitetet e takimeve, si orari (me shumë mundësi, ora 18.00) dhe vendi ku do të zhvillohen takimet në Durrës e në Shkodër, do të bëhen të ditura javën që vjen, thonë burimet pranë stafit të ish- kryeministrit Berisha. Paralelisht me takimet, diskutimet, pyetje e përgjigjet nga salla, ka nisur edhe mbledhja e 1500 firmave të nevojshme të delegatëve për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të jashtëzakonshëm. Përmes këtij organi, Berisha do të kërkojë shprehjen me votë të antarësisë për legjitimitetin statutor të vendimit të kryetarit Basha për përjashtimin e ish- kryeministrit nga Grupi Parlamentar i PD- së. /ShkodraWeb/

ShkodraWeb Channel

Open

Close