Partizani ka një punë shumë të madhe për para për të ndërtuar ekipin e sezonit të ri. Disa lojtarë kyçë janë larguar, ndërsa disa të tjerë janë në fund kontrate dhe pranë largimit.
Përveçse drejtuesit e kuq synojnë që të mbajnë në ekip boshtin e lojtarëve, kanë nisur të mendojnë edhe për përforcimet. Janë disa emra që janë përfolur deri më tani për një firmë me Partizanin, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit, kanë dalë në skenë plot 5 emra.
Një tjetër emër i përfolur, është ai i Eni Imamit. Mbrojtësi i Vllaznisë, i cili më parë ka luajtur edhe me Tiranën, e ka pasur të mbyllur 100% marrëveshjen me Partizanin sezonin e shkuar, por për shkak të bllokimit të merkatos iu bashkua Vllaznisë.
Imami është një lojtar që i bën mirë dy role: si mbrojtës i majtë dhe si qendërmbrojtës. Gjithashtu, është i aftë të luajë edhe me skema të ndryshme. Një lojtar polivalent si Imami është tashmë në radarët e Partizanit.
Emri më i bujshëm, është ai i ish-mesfushorit të Kombëtares, Migjen Basha. Daja kërkon një ekran para mbrojtjes që edhe të ndërtojë lojën, duke bërë tranzicionin e shpejtë nga mbrojtja në sulm, një ndër pikat e forta të trajnerit Daja në manovrën e tij.
Basha sjell edhe eksperiencë në ekip, si dhe një mentalitet fituesi. “Panorama Sport” ka kontaktuar me ish-kapitenin e Kombëtares, por nuk ka marrë një përgjigje konkrete sa u takon këtyre zërave.