Ndryshimet tek Vllaznia duket se po shoqërohen jo vetëm me emra të rinj por edhe me risi të tjera për mënyrë si do të punohet apo gjëra të tjera. Ajo çfarë është mësuar sonte ka të bëjë me faktin që klubi shkodran është pranë binjakëzimit me një klub të njohur kroat, i cili do të japë asistencën e tij teknike.
Bëhet fjalë për klubin e Rijekës, i cili është një nga më të njohurit në Kroaci dhe që vetëm dy ditë më parë fitoi edhe Kupën e këtij vendi pasi mundi në finale me rezultatin 1-0 Lokomotivën e Zagrebit. Lajmi për këtë binjakëzim e ka dhënë sponsori i klubit Vllaznia Alban Xhaferi në emisionin “Sport Arena”.
“Ne kemi bërë një marrëveshje bashkëpunimi me klubin kroat të Rijekës. Aktualisht marrëveshja është drejt finalizimit sepse është bërë drafti gati dhe mbeten vetëm detajet e fundit. Klubi Rijeka është ndër më të njohurit në këtë vend dhe që fitoi Kupën e Kroacisë dy ditë më parë.
Rijeka është një klub me eksperiencë, me buxhet shumë të madh, me një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe ata do na asistojnë në formën e këshillimit nga ana teknike për klubin tonë. Dhe madje edhe drejtori i ri sportiv Matko Djarmati erdhi si rezultat i këtij bashkëpunimi.