Lulzim Basha po përpiqet të heqë vëmendjen nga skema e tij e gjobëvënies, duke sulmuar përditë çdo deputet të Partisë Socialiste që publikon prova kundër kunatit të tij. Përse një parti që ka heshtur kur humbi zgjedhjet dhe për shumë çështje të tjera me interes publik, është kaq e ndjeshme kur përmendet kuleta e kunatit. Kjo provon atë që ka kohë që flitet brenda Partisë Demokratike: Luli ka vendosur të gjithë partinë në shërbim të interesave të ngushta të familjes së tij! Ditë pas dite, ju kemi treguar se si brenda një viti, kunati përfitoi 220 milionë lekë nga kompania “Gener 2” dhe mbi 100 milionë lekë prej grupit “Kastrati”. Të dy këta biznesmenë kanë përfunduar në “listën e zezë”, të atyre që Basha i anatemon si kriminelë dhe oligarkë.
Sot ju sjellim një tjetër rast! “Intersig” dhe “Noa”, dy kompani në pronësi të Gentian Sulës, kanë derdhur në llogari të kunatit me dhjetëra milionë lekë brenda një viti të vetëm. Edhe ky biznesmen, figuron në listën e Lulit. Pyetja që Basha duhet t’i përgjigjet sot është: Përse këta persona janë burra të mirë kur paguajnë taksën e kunatit, por bëhen oligarkë kur kryejnë punë publike, duke krijuar vende të reja pune? Po bëhet gjithmonë e më e qartë që Luli nuk e ka hallin as tek njerëzit, as tek opozita, por vetëm tek xhepi i tij dhe i kunatit. Prandaj, edhe kjo fushatë e fundit nuk është asgjë më shumë se sa zhvatja e radhës. Synimi i Lulit është vetëm një: paguaj kunatin, që të ndalojë akuzat në media! /Deklaratë për mediat e deputetit të PS Ervin BUSHATI/