
Kryesia e Partisë Socialiste është mbledhur sot për të diskutuar për situatën në Kukës dhe pakënaqësitë e krijuara në bazë pas vendimit për shkarkimin e Mimi Kodhelit si e deleguar në këtë rreth dhe zëvendësimin me Safet Gjicin.
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla në një deklaratë për gazetarët pas mbledhjes tha se ishin miratuar disa kandidatura në disa bashki. Kryesia, pasi u njoh me rezultatet e auditit PS në bashkinë Kukës, mori vendimin për ta nisur nga fillimi procesin.
“Do krijojmë një Asamble të re socialiste në Kukës pasi u vërejtën mangësi sa i takon barazisë gjinore etj. Partia më e madhe e shqiptarëve duhet të jetë e struktuar edhe në një qark apo bashki, rezultati i PS në bashkinë Kukës ka qenë një rezultat shumë i mirë”, u shpreh Balla.
Ky i fundit tha se janë marrë masa disiplinore për Astrit Cengu dhe Ylber Duraku pas protestës kundër të deleguarit Safet Gjici në Kukës.
Dega e Partisë Socialiste në Kukës është futur në një përplasje të fortë. Shkak është bërë një mbledhje kryesie e socialistëve zhvilluar në 17 janar të këtij viti ku është vendosur që të largohet Mimi Kodheli si e deleguar për qarkun e Kukësit dhe në vend të saj të komandohet Safet Gjici.







