“Partia nuk është pronë private”, flet ish- deputeti i Shkodrës Ditmir Bushati: Moskandidimi im ishte gabim, PS të reformohet…

Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, flet për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 prillit, në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, në News24.

Ish-ministri Bushati u ndal te marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama, duke e ritheksuar se ishte i padrejtë vendimi i këtij të fundit për të mos e kandiduar atë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, raporton “BalkanWeb”.

Ndërsa për faktin që ishte socialisti më i votuar për anëtar Kryesie, Bushati tha se “Do doja të theksoja që unë jam në Kryesinë e PS që prej 2011, është hera e tretë që zgjidhem në këtë forum të rëndësishëm, ndoshta më i rëndësishmi për nga aspektet e vendimmarrjes. Jam zgjedhur në të tria rastet me votë dhe natyrisht është një vlerësim që më bëhet nga Asambleja Kombëtare e PS për të vijuar për të dhënë kontributin tim në strukturat e PS dhe për të vijuar jetën politike nga një kënd tjetër. Natyrisht, institucionet më përfaqësuese politike janë Kuvendi, qeverisja qendrore dhe vendore, por mbase unë s’jam as rasti i parë dhe as i fundit në politikë, që duhet ta ushtroj kontributin dhe funksionin tim politik në kënde të ndryshme”.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me kryeministrin Rama?

Bushati: Besoj se marrëdhëniet personale, raportet, ulje-ngritjet e marrëdhënieve personale nuk janë të rëndësishme për opinionin publik, sepse bëhen objekt telenovelash e bisedash nëpër kafene, sesa të sjellin diçka konkrete. E rëndësishme është që në një parti politike të ketë rregulla, sa i përket bashkëjetesës demokratike, qoftë edhe ku anëtarë të ndryshëm të forcës politike mund të kenë pikëpamje të ndryshme apo pikëpamje alternative për mënyrën se si mund të jetë më efektive dhe më e suksesshme forca politike. Nëse pikëpamjet e mia janë efektive apo konstruktive, kjo është një çështje tjetër. Është e rëndësishme që partitë të jenë organizma të gjalla, sepse nuk janë prona private, por janë të mira publike dhe kanë një raport shumë të rëndësishëm me shoqërinë. Kështu e kam konceptuar unë edhe pozicionin dhe aktivizimin tim brenda radhëve të PS, i bindur se ne nuk mund t’i flasim vetëm kërthizës sonë, por duhet t’i drejtohemi shoqërisë, sidomos kur jemi një forcë në qeverisje për të tretin mandat radhazi, precedenti i parë në pluralizmin e Shqipërisë. Është shumë e rëndësishme për të ndërtuar një model sa më të drejtë mes qeverisjes në nivel qendror e vendor dhe shoqërisë.

Si janë marrëdhëniet me kryeministrin Rama, kam parasysh një shprehje të tij, ndërsa sqaronte vendimin për t’ju lënë jashtë listave, ndërsa tha: “Unë s’kam asgjë me Ditmir Bushtin, ai thotë të vetat unë them të miat, ai duhej të kishte punuar tokën e të ishte si shokët e vet. Kështu që nuk është personale. Shpresoj ta kapë trenin prapë, në tren të hipën partia, por nëse rri apo zbret e vendos vetë”…

ShkodraWeb Channel

Bushati: Në kryesinë e PS unë kam qenë që prej vitit 2011, jam zgjedhur edhe për herë të parë, është hera e tretë që vijoj të jem, për sa kohë do kem besimin e shokëve dhe shoqeve për të cilat kam bërë dhe bëj beteja, do vijoj ta ushtroj me maksimumin e fuqive të mia njerëzore dhe intelektuale e fizike. Jam i vendosur për të mos ushqyer asnjë telenovelë apo bisedë kafeneje. Janë çështje që nuk kanë interes publiku. Publiku ka interes për të ditur kontributin, pikëpamjet që unë kam apo aktivitetin politik që unë zhvilloj.

Ju ishit më i votuari në Kryesinë e PS, por që nuk u përfshitë në listat e PS për kandidat, si e pritët këtë zhvillim?

Bushati: Besoj se nuk ka diskutim që vota në Asamblenë Kombëtare ishte një lloj mbështetje për aktivitetin dhe kontributin tim, sepse PS ka investuar tek unë, siç jam përpjekur unë për të investuar dhe që do vazhdoj të jap kontributin tim në këtë forcë politike, pavarësisht funksioneve që do të mbaj ose jo. Sa i përket çështjes së kandidimit, e kam thënë që ka qenë një vendim i padrejtë në gjykimin tim, por kjo nuk më bën të heq dorë nga angazhimi im për PS dhe me PS.

ShkodraWeb Channel

Open

Close