Ditën e djeshme Partia Demokratike Dega Shkodër zhvilloi zgjedhjet për nënkryetarët e Partisë. Sipas postimit në faqen zyrtare në FB, ishte një garë e denjë mes figurave të njohura të qytetit të Shkodrës të cilët prej vitesh japin kontributin e tyre në Partinë Demokratike.
Mësohet se nënkryetarët e rinj të Partisë Demokratike Shkodër janë zgjedhur Irena Shestani, Bashkim Rroji, Ndoc Ashta dhe Marin Pemaj. Sipas statutit të Partisë Demokratike automatikisht nën kryetarë janë edhe Kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi dhe Kryetarja e Qarkut, Greta Bardeli.
Mësohet se pjesë e garës për nënkryetar, ka qenë edhe kryesindikalisti i SPASH Arian Peraj, i cili nuk ka fituar. Ai ka bërë një postim të Facebook, duke përcjell një mesazh në vargje, por pa saktësuar shumë gjëra.
“Forca e një njeriu të plotësuar është tek aftësitë e tija për të kontrolluar inatin dhe për të menaxhuar sfidat, qofshin këto edhe humbëse….ndaj janë aktuale vargjet:
“Qyteti im po shuhet përditë,
jo nga sëmundjet, lufta apo inondata,
Shkodra e jonë po shuhet përditë,
nga besprerët,injorantët dhe mosdashja….”, shkruaj Peraj.
Arian Peraj ka qenë edhe ndër kandidaturat e propozuara për kryetar të degës së PD-së Shkodër, ku siç dihet u përballën Xhevdet Amuli me Ramiz Çobën, ku ky i fundit humbi postin që mbante.